Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 13.11.2015

logo-kldNën drejtimin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot, datë 13.11.2015, mbledhjen plenare, e cila nisi me diskutimin mes anëtarëve për caktimin e përkohshëm të kandidatëve për magjistratë, të cilët kanë përfunduar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës 2014-2015, profili gjyqtar, për të kryer stazhin profesional
si gjyqtarë në gjykata të rretheve gjyqësore.

Më pas mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe miratimin e kërkesës së Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, për miratimin e listës së gjyqtarëve pjesëmarrës në Programin e Trajnimit Vazhdues, për periudhën 2015-2016, në Shkollën e Magjistraturës.
Mbledhja vijoi me shpalljen e vendit vakant për funksionin drejtues të kryetarit të gjykatës, në Gjykatën e Apelit Tiranë, për shkak të mbarimit të mandatit në këtë funksion, më datë 13.02.2016, të kryetarit aktual Z. Alaudin Malaj.
Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për autorizimin për mësimdhënie të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Florjan Kalaja si dhe vendosi konstatimin e mbarimit të mandatit 5-vjeçar për një inspektor të Inspketoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve", Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm:

- Gjyqtar Aleks Nikolli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër;
- Gjyqtar Artan Çupi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat;
- Gjyqtar Selim Kryeziu, Gjykata e Apelit Shkodër;
- Gjyqtare Luljeta Kolonja, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
- Gjyqtare Valbona Vata, Gjykata e Apelit Shkodër;
- Gjyqtare Valbona Durraj, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër.

Gjithashtu, në fund të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.