Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim
  • Simple Image Gallery Pro Notice: Joomla!'s /cache folder is not writable. Please correct this folder's permissions, clear your site's cache and retry.

Njoftim i përbashkët i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës

logo-kldkgjk

Në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Zëvendëskryetari z. Elvis Çefa i shoqëruar nga anëtarët, Z. Hysen Saliko, Z. Flamur Kapllani, Z. Tritan Hamitaj dhe Z.Ilir Mustafaj priti në një takim miqësor një delegacion të nivelit të lartë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kryesuar nga Kryesuesi i këtij Këshilli Z. Enver Peci i shoqëruar nga anëtarët e KGJK-së, Z. Muharrem Shala, Z. Salih Mekaj, Znj. Valdete Daka, Z. Malcolm Simmons, Z. Nebojsa Boricic, Znj. Rajma Elezi, Z. Asllan Krasniqi, dhe Z. Agim Maliqi.

Delegacioni i Këshillit Gjyqësor të Kosovës po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore (në datat 20 dhe 21 shkurt 2014) në kuadër të shkëmbimit të eksperiencës ndërmjet institucioneve kryesore të drejtësisë së dy vendeve. Vizita e delegacionit nga Kosova ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve homologe nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe nxitjen e praktikave më të mira në mirëqeverisjen së sistemit gjyqësor.

Në këtë takim, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Çefa e njohu Kryesuesin dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës mbi përbërjen, funksionet dhe kompetencat e KLD-së, si dhe organizimin e sistemit gjyqësor në përgjithësi.

Delegacionit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës iu bënë të njohura gjithashtu edhe disa prej arritjeve kryesore dhe prioriteteve të KLD-së, në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor shqiptar.

Në vijim të takimit Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) Z. Enver Peci e njohu Z. Çefa dhe anëtarët e KLD-së mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problematikat që ka sot sistemi gjyqësor në të dy vendet, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që kushte esenciale për mirëfunksionimin e këtij sistemi janë rritja e mëtejshme e përgjegjshmërisë dhe forcimi i sistemit të karrierës së gjyqtarëve.

Në këtë linjë palët e konsideruan pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe pikësëpari të KLD-së dhe KGjK-së si autoritete shtetërore përgjegjëse për karrierën e gjyqtarëve, ndaj cdo lloj ndërhyrje, sidomos asaj politike, si një ndër parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Në takim pati shkëmbim idesh lidhur me rëndësinë që paraqesin sistemet reciproke të përdorura në vlerësimin mbi kritere objektive të karrierës së gjyqtarëve si edhe në procedurat që ndiqen në procedimet disiplinore të tyre.
Gjatë bashkëbisedimit, u evidentuan gjithashtu, sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet mbart në vetvete në fushën e drejtësisë si dhe u pranua me kënaqësi nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa ftesa për të vizituar në një të ardhme Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri, do të ketë takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë, takime në të cilat do të diskutohen tema dhe shkëmbehen eksperienca nga palët gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Galeri imazhesh

{gallery}397{/gallery}