Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 27.02.2014

logo-kldZëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa mori pjesë sot në konferencën e Rajonale e Lidershipit në Gjyqësor në lidhje me përdorimin e Teknologjisë së Regjistrimit Dixhital Audio në Gjykatat në Shqipëri, e organizuar nga Programi i USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST), e cila zhvilloi punimet e saj në qytetin e Vlorës. Në këto konferencë ishin të pranishëm pjesë të gjithë gjyqtarët, kancelarët, sekretarët gjyqësorë dhe specialistët IT nga gjykatat e rretheve gjyqësore Vlorë, Fier, Berat dhe Lushnjë si dhe Gjykata e Apelit Vlorë.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Z. Çefa theksoi rëndësinë që ka për KLD procesi i rritjes së transparencës në gjykim dhe përmirësimi i performancës së pushtetit gjyqësor.

Në këtë linjë, Z. Çefa u shpreh vizioni i Këshillit ka vënë prej kohësh theksin mbi nevojën për rritjen e kontrollit dhe disiplinës, cilësisë së gjykimit, solemnitetit, etikës dhe mbi të gjitha të luftës ndaj korrupsionit. Duke theksuar se modernizimi i gjykatave është objektiv kryesor i Këshillit dhe partnerëve të tij, Z. Çefa tha se: "dhënia e drejtësisë është detyra kryesore për gjyqtarët dhe ushtrimi i ligjit është përparësi për ta. Gjykatat janë organet e vetme që japin vendime në emër të ligjit dhe që e ushtrojnë atë. Çdo kontribut për t'i ndihmuar gjykatat t'ua bëjnë jetën më të lehtë njerëzve që përballen me to, përkrahen fuqishëm nga Ne".
Me mbështetjen e projektit JuST të USAID-it, teknologjia e regjistrimit dixhital audio (RDA) është shtrirë tashmë në të gjitha gjykatat e përfshira në jurikisionin e Gjykatës së Apelit Vlorë.

Fjala e plotë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Çefa, mbajtur gjatë Konferencës Rajonale e Lidershipit në Gjyqësor:

 

I nderuar zoti Carver!
I nderuar Zoti Naço!
I nderuar Zoti Henry Jardine!
Të nderuar kryetarë te gjykatave!


Zonja e zotërinj!

Së pari më lejoni të rishpreh kënaqësinë për mundësinë e pjesëmarrjes në këto konferenca të Lidershipit në Gjyqësor që organizohen nën kujdesin Tuaj.
Këtë vit institucionet shqiptare, dhe kryesisht institucionet e drejtësisë, do të festojnë 101 Vjetorin e Drejtësisë - datë mjaft simbolike për drejtësinë shqiptare, duke kujtuar gurët e themelit të funksionimit të Shtetit Shqiptar, të hedhura nga Qeveria e parë e Ismail Bej Vlorës, me miratimin e Kanunit të Zhurisë. Dhe në rrugëtimin tonë të shtetndërtimit, jemi përballur me sfida të ndryshme e sigurisht një ndër to, ka qenë, dhe ndoshta, më e vështira, ndërtimi i një shteti të së drejtës.

Edhe sot, ne jemi duke u përballur me sfidat e mëdha të sistemit gjyqësor, për të bërë të sigurt
plotësimin e angazhimit tonë madhor – atë të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Aktualisht, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i angazhuar për të garantuar paanshmëri dhe integritet të lartë moral dhe profesional të gjyqtarëve me anë të procesit të vlerësimit të tyre, dhe jo vetëm, duke e kthyer këtë synim në një prioritet të punës së Këshillit.
Mirëfunksionimi i ndarjes së pushteteve, kontrolli dhe balanca, janë themeli i një shteti të së drejtës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të bëjë gjithçka që gjyqtarët të garantojnë një gjë të tillë nëpërmjet vendimmarrjeve të tyre, të drejta dhe të shpejta.
Dhënia e drejtësisë është detyra kryesore për gjyqtarët dhe ushtrimi i ligjit është përparësi për ta. Gjykatat janë organet e vetme që japin vendime në emër të ligjit dhe që e ushtrojnë atë. Çdo kontribut për t'i ndihmuar gjykatat t'ua bëjnë jetën më të lehtë njerëzve që përballen me to, përkrahen fuqishëm nga Ne.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë në strategjinë e tij të reformës së sistemit gjyqësor e ka përfshirë dhe do ta ketë kurdoherë në vëmendje këtë element shumë të rëndësishëm. Vizioni i Këshillit ka vënë prej kohësh theksin mbi nevojën për rritjen e kontrollit dhe disiplinës, cilësisë së gjykimit, solemnitetit, etikës dhe mbi të gjitha të luftës ndaj korrupsionit.
Në këtë proces Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka mirëpritur kurdoherë idetë apo partneritetet e reja, aq më shumë kur ato prekin drejtpërdrejt punën e tij.
Të gjithë ne duhet të jemi shumë të ndjeshëm për rëndësisë që ka rritja e transparencës në gjykim dhe përmirësimi i performancës së pushtetit gjyqësor. Të dyja këto aspekte po mbështeten prej kohësh me kompetencë nga Programi i USAID, JuST.
Modernizimi i gjykatave si objektiv i këtij projekti ka gjithashtu një sensibilitet të madh nga publiku që përballet me gjykatën. Përballja shpesh është e vështirë dhe vështirësitë janë diametralisht të ndryshme. Por këto vështirësi janë të kalueshme dhe nuk duhet të na stepin.
Natyrshëm rëndësi të madhe ka rritja e transparencës dhe e profesionalizmit në realizimin e shërbimeve gjyqësore, ku fazat e zhvillimit të procesit gjyqësor nuk janë të vetmet që kanë rëndësi. Në sytë e publikut të thjeshtë, informacioni mbi atë që pritet të ndodhë kur do të paraqitet një padi, apo mbi atë që ka ndodhur kur gjykimi ka përfunduar, është po aq i rëndësishëm. Administrimi i drejtësisë nëpërmjet shërbimeve gjyqësore, është pjesë e drejtësisë që duket.Kjo duhet të ketë një rëndësi primare.
Me shume kënaqësi dëgjova faktin e parashtruar pak me pare nga zoti Carver, qe, sipas statistikave, ka ulje te ndjeshme te kërkesave te qytetareve për tu pajisur me kopje te procesverbalit gjyqësor. Kjo është një shenje e mire qe gradualisht besimi i qytetareve tek gjykatat po rritet. Kjo është një shenje e mire qe kjo pune voluminoze po jep frytet e veta. Kjo është një gjë e mirë për të gjithë ne.
Demokracitë perëndimore kanë dëshmuar sukses në ngritjen e sistemit gjyqësor të hapur dhe të arritshëm për publikun. Gjykatat nuk duhet të jenë forume të izoluara që nuk japin llogari mbi atë që vendoset, përkundrazi ato janë vendi ku drejtësia që jepet, duhet të kuptohet që më pas të pranohet. Kjo besoj është një nga të metat kryesore të drejtësisë në Shqipëri!
Pikërisht ky është objektivi kryesor i punës së pazëvendësueshme të ndërmarrë nga USAID nëpërmjet Projektit JuST për të ndihmuar gjykatat shqiptare. Ndërtimi i sistemit të regjistrimit audio, është një nga iniciativat më të mira në këto vitet e fundit për të ndryshuar cilësisht sistemin gjyqësor në Shqipëri. Kjo nismë, duke pasur në thelb jo vetëm ide dhe synime të mira, por edhe njerëz shumë të aftë për ta zbatuar, mbështetet dhe do të mbështetet gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Së fundmi, më lejoni, që në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të shpreh mirënjohjen dhe falenderimet ndaj Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila nëpërmjet programit të shtetit ligjor të USAID, ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave shqiptare.
Falenderime të përzemërta dhe mirënjohje të thellë edhe për ekspertët e Programit JuST, për angazhimin dinjitoz të tyre në implementimin e Programit.
Faleminderit!