Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 25.02.2014

logo-kldDuke u vënë në dijeni të prononcimeve në media nga individë të pakënaqur nga vullneti i shprehur me votë nga shumica e anëtarëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se vendimet e tij, nuk merren në asnjë rast në ndikimin e politikës. Në vëmendje të opinionit publik, theksojmë faktin se asnjë maxhorancë politike, në çdo kohë dhe në asnjë rrethanë, nuk mund t'i imponojë Këshillit asnjë lloj vendimmarrje.

Këshilli vendosi dje me shumicë votash të rrëzonte kërkesën e Zj. Ina Rama, për t'u emëruar pa konkurim në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit Tiranë, pasi vetë Zj. Rama kërkoi t'i impononte vullnetin e saj, KLD-së, duke e kërkuar atë si të vetmen alternativë.

Për çdo gjyqtar apo ish gjyqtar që kërkon të ushtrojë detyrën në një Gjykatë Apeli, është e drejtë dhe e ndershme që t'i nënshtrohet konkurimit të barabartë me pretendetët e tjerë, ashtu siç është në tagrin e Këshillit, e drejta për të përzgjedhur më pas konkurentët më të mirë të mundshëm.

Për t'i mbyllur rrugën çdo keqinterpretimi të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë sqaron se Zj. Rama nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë të drejtën e saj ligjore, për të kërkuar rikthimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, në të cilën ka ushtruar detyrën e gjyqtarit përpara zgjedhjes si Prokurore e Përgjithshme. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, nuk është e barasvlefshme me asnjë Gjykatë Apeli në vend, përsa i përket karrierës, trajtimit financiar, të drejtës për mbrojtje dhe një sërë të drejtash të tjera.