Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 24.02.2014

logo-kldNën drejtimin e Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sot në datë 24.02.2014, zhvilloi mbledhjen e radhës, e cila nisi me diskutimet konstruktive mes anëtarëve për raportin i Kryetarit të Komisionit të Administrimit të Testimit seleksionues për gjyqtarë në gjykatat administrative të shkallës. Pas diskutimeve anëtarët ranë dakort që të ngrenë një grup pune, për propozimin e disa ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative", me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problematikave të krijuara nga mos plotësimi i trupës gjyqësore në disa gjykata Administrative.

Në vijim të rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi kandidaturat për emërimin e kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit. Pasi dëgjuan platformat e dy kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin Z. Kastriot Selita, si Kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ.

Gjithashtu, anëtarët e Këshillit diskutuan dhe miratuan raportin "Mbi ecurinë e kandidaturave për Funksionin Drejtues të kryetarit" të hartuar nga Zëvendëskryetari i KLD.

Më tej mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Apelit Korçë dhe 1 (një) vendi vakant në Gjykatën e Apelit Gjirokastër. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e gjyqtarit Z. Olsi Xhavella në Gjykatën e Apelit Korçë dhe të gjyqtarit Z. Enton Dhimitri në Gjykatën e Apelit Gjirokastër.

Më pas, seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vijoi me shqyrtimin e kërkesës së Zj. Ina Rama, ish-Prokurore e Përgjithshme e Republikës, për t'u emëruar në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit në Tiranë. Pas diskutimeve, anëtarët e KLD-së vendosën me shumicë votash të rrëzojnë kërkesën, me arësyetimin se duke qënë se Zj. Ina Rama ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda dhe jo në Gjykatën e Apelit Tiranë, për t'u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ajo duhet t'i nënshtrohet procedurave të konkurrimit, së bashku me kandidatët e tjerë pretendentë për në atë gjykatë.

Më tej, Këshilli, përcaktoi kalendarin e analizave vjetore të punës për vitin 2013, nëpër gjykata të rretheve gjyqësore, të shkallëve të para dhe apeleve si dhe përcaktimin e pjesëmarrjes në secilën prej tyre të përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Këshilli, në mbledhjen plenare të sotme, vendosi me unanimitet, riemërimin për një periudhë 4 (katër) vjeçare të Z. Fatri Islamaj, si anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi disa kërkesa për leje për shkëputje të përkohshme nga puna, arsye familjare dhe shëndetësore të dy gjyqtareve.

Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si : shtyrjen e shqyrtimit të propozimit të Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të një gjyqtari të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas kërkesës së avokatit të tij, shtyrjen e vendimmarrjes përfundimtare për procedimin disiplinor të një gjyqtareje të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit etj.