Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 23.09.2014 (18:30)

logo-kldFjala e Zëvendëskryetarit të KLD-së, z. Elvis Çefa, mbajtur në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut:

 

 

I nderuar kryetar,

Te nderuar anëtarë,

 

Në datën 19 shtator 2014 jam njohur me kërkesën e një grupi deputetësh të shumicës parlamentare, me të cilën është kërkuar shkarkimi im dhe i z. Lulzim Lelçaj nga detyra e anëtarit të KLD-së. Duke ju falenderuar paraprakisht për mundësinë që më keni dhënë të dëgjohem në këtë procedurë, në bazë të nenit 114 pika 2 të Rregullores së Kuvendit, ju parashtroj në vijim qëndrimin tim mbi kërkesën e grupit të deputetëve.

Së pari, kërkesa e paraqitur nuk ka qenë e papritur as për mua dhe as për anëtarët e tjerë të Këshillit. Ndërmarrja e një nisme të tillë ishte një rezultat i pritshëm i ngjarjeve të muajve të fundit, duke përfshirë këtu sulmet jo vetëm mediatike kundër veprimtarisë së KLD-së në përgjithësi, por edhe sulmet ndaj personit tim dhe më tej me miratimin në kohë rekord të ndryshimeve të ligjit organik të KLD-së, të kritikuara që në publikimin fillestar të tyre prej KLD dhe jo vetëm. Nisma e grupit të deputetëve vërtetoi më së miri atë që jo vetëm unë, e kemi thënë publikisht prej kohësh, që refoma në drejtësi, e mishëruar në tre ligje të miratuara nga Kuvëndi në datën 1 shtator 2014, nuk synon asgjë tjetër përvecse eleminimin nga institucionet e drejtësisë të atyre personave që janë të padëshiruar.

 

Së dyti, dëshiroj t'ju evidentoj të nderuar deputetë, se nisma për ndërprerjen e parakohshme të mandatit tim kushtetues me anë të shkarkimit, është një nismë që nuk parashikohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe rrjedhimisht është antikushtetuese. Heshtja e Kushtetutës për një nismë të tillë konfirmohet edhe nga përmbajtja e vetë Rregullores së Kuvendit, e cila në nenin 114 pika 1 të saj, teksa rregullon procedurën e shkarkimit të një funksionari kushtetues, kërkon domosdoshmërisht që "Kërkesa për shkarkimin e anëtarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë i paraqitet Kryetarit të Kuvendit me shkrim dhe në mënyrë të motivuar e konkrete për shkaqet e parashikuara në Kushtetutë". Në këtë mënyrë, ky proces mbart paragjykim që në fillim të procedurës së tij dhe vendos dyshime serioze për drejtësinë e rezultatit të tij.

 

Së treti, është e vërtetë që me ligjin nr. 101/2014 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë", ndër të tjera, parashikohet mundësia e shkarkimit të anëtarit të KLD-së. Mirëpo, siç tashmë është bërë një fakt i ditur publik, ky ligj është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese prej disa subjekteve, duke përfshirë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ky Këshill në shumicën dërrmuese të anëtarëve të tij ka shprehur me votë qëndrimin se ligji nr. 101/2014 është në tejkalim dhe në cënim të rregullimeve kushtetuese, duke dëmtuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që qëndron në themel të organizimit të rendit juridik demokratik në Republikën e Shqipërisë (neni 7 i Kushtetutës).

 

Së katërti, edhe duke anashkaluar diskutimin mbi pavërtetësinë e themelit të fakteve të kërkesës për shkarkim, procedura e ndërmarrë bie ndesh me parimin e sigurisë juridike, të garantuar në mënyrë të posaçme në Preambulën e Kushtetutës dhe në nenin 4 të saj. Me anë të kësaj procedure, ligjit nr. 101/2014, i cili ka hyrë në fuqi më 16 shtator 2014 i jepet fuqi prapavepruese për t'u zbatuar për fakte që kanë ndodhur përpara datës 16 shtator 2014. Siguria juridike është një premisë e padiskutueshme e shtetit të së drejtës dhe kërkon domosdoshmërisht që rendi juridik i një vendi demokratik të jetë konsistent dhe koherent. Është e vërtëtë që zhvillimi shoqëror i një vendi krijon raporte dhe ekuilibra të rinj, të cilat kërkojnë rregullime të reja ligjore për të plotësuar nevojat dhe kërkesat sociale të vendit brenda kuadrit kushtetutes. Mirëpo në çdo rast, nevojat shoqërore duhet të zgjidhen me vendimmarrje të përshtatshme të cilat duhet të respektojnë pa asnjë dyshim standardet e sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, më duhet të evidentoj se Komisioni i Venecias ka theksuar se siguria juridike është thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe për shtetin e së drejtës. Retroaktiviteti shkon kundër parimit të sigurisë juridike, edhe në të drejtën administrative, për masën që ai prek negativisht të drejtat dhe interesat e ligjshme. Situata është shumë e komplikuar nëse rregullimet ligjore që lidhen me Gjyqësorin ndryshohen, sepse pavarësia individuale e gjyqtarëve dhe e sistemit gjyqësor është e garantuar në nivel kushtetues për shkak të rëndësisë që kanë të drejtat themelore të personave individualë.

 

Të nderuar anëtare të Komisionit të Ligjeve,

Në kërkesën që ju është paraqitur për shqyrtim, pavarësisht se kërkohet në konkluzion shkarkimi i dy anëtarëve të KLD-së të zgjedhur prej Kuvendit, deputetët nënshkrues të saj kanë parashtruar, analizuar dhe gjykuar se disa vendimmarrje të KLD-së janë të kundraligjshme. Ju kujtoj se Këshilli është një organ kushtetues kolegjial. Vendimet në Këshill merren me shumicën e votave të anëtarëve të tij. Edhe vendimmarrjet e parashtruara në kërkesë kanë ndjekur të njëjtën procedurë. Për pasojë, konkluzioni i deputetëve nënshkrues se unë kam shkelur ligjin, në fakt është një konkluzion se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkelur ligjin. Me anë të këtij konkluzioni, deputetët marrin kompetencën për të kontrolluar dhe për të gjykuar vendimmarrjen e një organi kolegjial që i përket një pushteti të ndarë kushtetues – atij të pushtetit gjyqësor. Pushteti gjyqësor jo vetëm është i ndarë qartësisht prej pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, por pa asnjë ekuivok Kushtetuta i ka rezervuar atij mbrojtjen nga çdo ndërhyrje e papërshtatshme në funksion të interesit publik për mbrojtjen e themeleve të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve.

Personalisht jam në këtë detyrë prej mbi dy vjetësh, por përvoja ime në administratën publike të Republikës së Shqipërisë tashmë është në vitin e 18-të. Ju siguroj të nderuar deputetë, se zgjedhjen time si anëtar i KLD e më pas si Zëvendëskryetar e kam konsideruar një privilegj dhe nder, madje edhe si një vlerësim të shërbimit tim në administratën publike. Por mbi të gjitha, këtë emërim e kam vlerësuar si një përgjegjësi shtetërore ndaj interesit publik, interesave shtetërorë dhe atyre të qytetarëve të këtij vendi. Nën këtë vlerësim, jam përpjekur çdo ditë t'i bindem dhe nënshtrohem vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Që në ditën e parë të punës në këtë detyrë, kam vepruar me përgjegjshmëri dhe dëvotshmëri, duke u përpjekur të përcjell frymën e Kuvendit në të gjtha vendimmarrjet e Këshillit. Kështu ka ndodhur edhe me vendimet dhe veprimet e cituara në kërkesën e deputetëve. Duke respektuar procedurën tuaj parlamentare, unë nuk po jap në këtë moment prapësimet e mia për çdo fakt të paraqitur në kërkesë, por njëherazi dua t'ju siguroj se nuk ka asgjë të paligjshme në veprimtarinë e Këshillit dhe as në veprimtarinë time profesionale të këtyre dy viteve të fundit.

 

Sot sistemi i drejtësisë ka probleme. Këto probleme nuk janë krijuar tani. Këto probleme janë akumuluar prej mbi 20 vitesh dhe në një farë mënyre janë kopje besnike e problemeve që ka përgjithësisht shoqëria shqiptare, përfshirë edhe politikën. Por pa asnjë dyshim këto probleme në raport me dy vite më parë janë më pak. Deri dy vite më parë nuk kishte as kontroll, as standarde, as proces të rregullt dhe as rezultate të kënaqshme. Si rezultat i punës së këtyre dy viteve, sot kemi për herë të parë traditën e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve, kemi për herë të parë një listë të renditjes profesionale të gjyqtarëve, kemi për herë të parë një sistem gjyqësor administrativ, kemi një sistem solid të procedimeve disiplinore. Këto rezultate, janë pjesë e arsyeve thelbësore, për të cilat Republika e Shqipërisë përfitoi statusin e vendit kandidat në BE me vendimin e qershorit 2014. Këto rezultate nuk janë fjali të vetëkënaqësisë time personale dhe as të Këshillit. Këto rezultate janë njohur dhe përgëzuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë. Citoj:

 

- Progres Raporti 2013 Për Shqipërinë
- Raport i Komisionit Qershor 2014 – "Për Progresin e Shqipërisë në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe në Reformën në Gjyqësor",
- Rapori i GRECO - Raundi i Katërt i Vlerësimit i Grupit te Shteteve kundër korrupsionit i Këshilli i Evropës, 14 Shkurt 2014
- Grupi i Ekspertëve të Komisionit Evropian 12-14 MAJ 2014- Misioni i Vlerësimit mbi reformat e gjyqësorit: "Raporti mbi pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënies dhe profesionalizmit të Gjyqësorit në Shqipëri.

 

Natyrisht që sistemi gjyqësor vijon të ketë probleme sidomos me integritetin apo korrupsionin në një pjesë të trupës gjyqësore. Por pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve është: si dhe kur këto probleme do të zgjidhen? Është pothuajse e pamundur dhënia e një përgjigje shterruese e të saktë për këtë pyetje kaq të vështirë. Jo vetëm për mua, por edhe për ata që kanë një jetë që merren me problemet në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, modestisht unë kam një përgjigje për një pyetje po kaq të rëndësishme, që mua më lind sot natyrshëm: a është shkarkimi antikushtetues i dy anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, mjeti që zgjidh problemet e sistemit gjyqësor sot? Përgjigja ime është jo. Përkundrazi, ky veprim i bërë nga një organ si Kuvendi, veçse do të ligjëronte një frymë antiligj, antirregull dhe antishtet në sistemin e drejtësisë në këtë vend dhe do të kishte pasoja të pariparueshme. Një veprim i tillë do të groposte përgjithmonë shpresat e shumë njerëzve për një sistem drejtësie të përgjegjshëm dhe vërtet të pavarur në Shqipëri. Me mishërimin e kësaj procedure, krijohet një dyshim i arësyeshëm që kontrolli politik i KLD-së të pasojë me kontrollin politik të sistemit gjyqësor. Kjo do të jetë ekzekutim i pavarësisë së tij dhe zhdukje e drejtësisë. Vendosja e këtij precedenti duhet të vlerësohet me shumë kujdes në një plan afatgjatë. Nëse sot veprohet në këtë mënyrë, do të legjitimohet fakti që cilado parti politike që do të vijë në pushtet më pas, të kryejë të njëjtin veprim. A është kjo fryma e Kushtetutës në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve?

 

Të nderuar deputetë,

Qartësisht tashmë po synohet të mishërohet e keqja mbi 20 vjeçare në sistemin e drejtësisë me dy anëtarët e KLD të zgjedhur jo nga ky Kuvend para rreth dy vitesh. Sigurisht kushdo e kupton që vendimi për fatin tonë tashmë është marrë. Nëse ju vërtet keni bindjen se e keqja e sistemit gjyqësor shqiptar sot është tek Elvis Çefa apo tek Lulzim Lelçaj, atëherë procedoni sa më shpejt me shkarkimin tonë. Por për një gjë dua t'ju siguroj juve dhe të gjithë shqiptarët: nëse qoftë edhe për një moment unë do të kisha dyshuar se largimi im nga kjo detyrë i shërben sistemit gjyqësor, do të isha isha larguar me vullnetin tim dhe pa asnjë hezitim!

 

Ju falenderoj për vëmendjen,

 

Me respekt,

Elvis Çefa

Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë