Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 23.09.2014

logo-kldKëshilli i Lartë i Drejtësisë u njoh me kërkesen e një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të z. Elvis Çefa, Zëvendëskryetar i KLD dhe anëtarit tjetër të KLD z. Lulzim Lelcaj. Duke vlerësuar me shumë seriozitet konstatimet e parashtruara në kërkesën e deputetëve, Këshilli pasi e diskutoi këtë çështje në mbledhjen plenare të jashtëzakonshme të datës 20.09.2014, me shumicën e votave vendosi që t’i drejtohet Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, me një informacion spjegues lidhur me vendimmarrjen kolegjiale të tij për çështjet në fjalë.

RELACION SPJEGUES
mbi
disa vendimmarrje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, konstaton se në kërkesen e 39 deputetëve të mazhorancës parlamentare, objekt shqyrtimi nga ana Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pavarësisht faktit që ajo në konkluzion kërkon shkarkimin e dy anëtarëve të KLD të zgjedhur nga Kuvendi, deputetët firmatarë kanë gjykuar dhe kanë vlerësuar disa vendimmarrje të KLD, duke i cilësuar ato si të kundraligjshme. Referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një organ kushtetues kolegjial. Vendimet në Këshill janë marrë me shumicën e votave të anëtarëve të tij. Në këtë këndvështrim, pavarësisht se në kërkesë nuk e është shprehur, deputetët që kanë nënshkruar këtë kërkesë, konkludojnë se KLD në tërësi ka shkelur ligjin. Pra deputetët kanë gjykuar si të paligjshme disa vendimmarrje kolegjiale të një organi që i përket një pushteti tjetër, atij gjyqësor, të një organi kushtetueshmërisht të pavarur dhe të ndarë qartazi nga dy pushtetet e tjera, legjislativi dhe ekzekutivi. Këtë veprim, i cili nuk parashikohet në Kushtetutën e vendit, e konsiderojmë një shkelje e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Përveç sa më sipër, kjo kërkesë e deputetëve është bërë duke i dhënë fuqi prapavepruese ligjit, pasi në kohën që pretendohen shkeljet nuk ka qenë në fuqi ligji 101/2014 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë".

Përsa i përket vendimmarrjeve konkrete, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dëshëron të sigurojë Kuvendin dhe të gjithë opinionin publik se veprimtaria e tij, jo vetem në vendimmarrjet objekt diskutimi, por edhe në çdo rast tjetër ka qenë kurdoherë e bazuar në Kushtetutën e Republikës dhe në legjislacionin përkatës që rregullon veprimtarinë e KLD dhe jo vetëm. Konkretisht :

- Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë referuar Kushtetutës dhe ligjit nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, kanë votuar në caktimin e z.Gjin Gjoni anëtar të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës apo dhe në emërimin e z.Neshat Fana Drejtor të Shkollës së Magjistraturës. Këshili ka proceduar me zëvendësimin e gjyqtarit Sokol Binaj nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, për shkak të qëndrimeve të tij jo etike të relatuara në KLD edhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, njëherazi edhe Kryetar i Bordit Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Nuk është parashikuar për asnjë moment në asnjë ligj ndalim për një veprim të tillë. Problematika e hasur dhe e parashtruar shpeshherë nëpërmjet diskutimeve të anëtarëve gjatë seancave plenare të KLD, për ecurinë e shkollës së Magjistraturës, ka vënë në dukje nevojën e ndryshimit të drejtorit të asaj shkolle. Zoti Fana është emëruar në atë detyrë pasi kishte përfunduar mandatin e tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe është gjykuar se ka qënë një kandidaturë e cila përveçse plotësonte më së miri kriteret formale të ligjit, ka pasur edhe një eksperiecë mjaft të pasur në këtë fushë, pikërisht për shkak të qënies anëtar i KLD.

- Propozimi i një anëtari të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t'u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë është bërë duke pasur parasysh faktin se anëtari në fjalë kishte paraqitur kërkesën pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë kohë më parë se hyrja në fuqi e ligjit "Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare" dispozitat e të cilit parashikonin një ndalesë të tillë. Interpretimi nga anëtarët e KLD, duke mos i dhenë fuqi prapavepruese kësaj dispozite ligjore, në favor të gjyqtarit është diskrecion i secilit anëtar. Gjithsesi në përfundim, Presidenti i Republikës nuk e ka dekretuar gjyqtarin në fjalë duke kërkuar një interpretim të këtij rasti nga Gjykata Kushtetuese.

- Këshillit i Lartë i Drejtësisë bazuar në ligjin nr.8136, datë 31.07.1996 "Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë", ka pasur në vijimësi në vëmendje të punës së tij, emërimet e kandidatëve për magjistratë, profili gjyqtar, që kanë mbaruar vitin e tretë në Shkollën e Magjistraturës. Këshilli pikërisht në zbatim të detyrës së tij, i ka propozuar Presidentit të Republikës fillimisht në janar të vitit 2013 emërimet e magjistratëve që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës për vitet akademike 2011-2012. Presidenti, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe duke konsideruar faktin se për shkak të procesit të riorganizimit të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve nëpër të gjitha gjykatat të dekretuar pak ditë më pas, nuk dekretoi këto propozime të Këshillit. Në procesin e riorganizimit iu dha përparësi gjyqtarëve në detyrë, një pjesë e të cilëve janë diplomuar prej vitesh në Shkollën e Magjistraturës dhe që kishin paraqitur kërkesa për transferim në gjykatat kryesore të vendit. Ky ishte arësyeja kryesore që në përfundim të riorganizimit në dhjetor 2013 emërimi i magjistratëve përfundoi njëkohësisht për dy vitet akademike 2011-2012 dhe 2012-2013.
Aktualisht Këshilli është në pritje të dokumentacionit të Shkollës së Magjistraturës për caktimin e vendeve vakant për t'i propozuar Presidentit të Republikës emërimin përfundimtar të magjistratëve për vitet akademike 2013-2014. Ky proces po vonohet për shkak të ndryshimeve të reja në ligjin "Për shkollën e magjistraturës", të hyra në fuqi në datën 16 shtator 2014..

- Neni 5 i ligjit nr. 49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative" përcakton se KLD është autoriteti që përzgjedh kandidatët për gjyqtarë administrativë, ne funksion të së cilës Shkolla e Magjistraturës organizon një testim seleksionues me shkrim. Përberja e komisionit është e përcaktuar në ligj. Pra, organizimi i testimit nga Shkolla e Magjistraturës është pjesë e përgjegjësisë që ka KLD-ja për realizimin e të gjithë procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet si përgjegjësi eskluzive e Shkollës së Magjistraturës. Këshilli ka parë të arsyeshme që të rregullojë me akte nënligjore këtë proces dhe neni 71, pika 1 e ligjit nuk e ndalon atë që të organizojë këtë procedurë, të orientojë Shkollën e Magjistraturës apo të përcaktojë në akte të tij përbërjen e komisionit të fondit të pyetjeve. Mbi kuadrin ligjor të sipërpërmendur, në ushtrim të plotë të kompetencave kushtetuese dhe në përmbushje të misionit te tij, Këshilli miratoi vendimin nr.299/1, date 30.11.2012 "Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit", me të cilin është mundësuar zbatimi efektiv i vullnetit të ligjvënësit. Në hartimin dhe miratimin e këtij akti nënligjor Këshilli, në respekt të vullnetit të ligjvënësit, ka patur parasysh të gjitha atributet që i burojnë nga tërësia e kuadrit ligjor në fuqi që prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë ", ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë" si dhe të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative". Vendimi në fjalë është hartuar në bashkëpunim të afërt me vetë Shkollën e Magjistraturës. Ky vendim i cili nuk bën asgjë tjetër përveç miratimit të rregullave më të detajuara të organizimit të testimit, u bazua në nevojën për të identifikuar çdo hap të procesit dhe për përgatitjen serioze të fondit të pyetjeve, të cilat nuk mund të përdoreshin nga arkiva e gatshme e Shkollës së Magjistraturës. (Kjo për arsye se fondi ekzistues i pyetjeve të Shkollës vlente vetëm për konkurentët që kërkojnë të pranohen në Shkollën e Magjistraturës, që në mënyrë evidente janë të një niveli më të ulët se sa ai i gjyqtarëve). Vendimi i miratuar nga KLD nuk kapërcen aspak vullnetin e ligjvënësit, madje është në përputhje të plotë me misionin dhe me dispozitat kushtetuese. Nën këtë frymë, Kushtetuta njeh si organin qeverisës të pushtetit gjyqësor, pikërisht KLD-në, të cilit i jep atributet e emërimit të gjyqtarëve me formulën e propozimit të kandidaturave tek Presidenti i Republikës.

- I njëjti argument si më sipër vlen edhe për rishpalljen e vëndeve vakant Këshilli i Lartë i Drejtësisë është institucioni i cili "qeveris" sistemin gjyqësor në Republikën e Shqipërisë dhe për rastin konkret përkundrejt mosmarrjes së nismës nga Ministri i Drejtësisë për të ushtruar detyrën e tij, si pasojë e së cilës do të kishim kolaps në ecurinë normale të gjykatave apo dhe të emërimit të magjistratëve, është bërë rishpallja e vendeve vakant, që në fakt ishin shpallur edhe më parë. Ka prevaluar vetëm ecuria normale e funksionimit të gjykatave e zbatim të misionit të KLD funksionon dhe aspak nuk ka shkelje të ligjit nga anëtarët e tij.

- Procesi i emërimit të Kryetarëve të gjykatave është parë me shumë seriozitet nga ana e KLD. Me ardhjen në krye të Këshillit të Presidentit Nishani nga 30 gjykata në shkallë Republike, vetëm në dy të tilla ishin emëruar kryetarët. Për të bërë të mundur përzgjedhjen e gjyqtarëve më të mirë në postet drejtuese, u vendos që asnjë emërim i kryetarëve të gjykatave të mos bëhej pa u përfunduar të paktën vlerësimi i parë etiko profesional i të gjithë kandidatëve. Këtu duhet evidentuar se kuadri ligjor dhe përpjekjet për realizimin e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve kanë filluar që në vitin 2005, por ky proces u intensifikua dhe u finalizua për herë të parë ne vitet 2012-2013. Përfundimi i vlerësimit për herë të parë mundësoi edhe krijimin e listës publike të renditjes të gjyqtarëve, që përbën një arritje të sistemin gjyqësor në funksion të transparencës dhe meritokracisë në promovimin e tyre. (shih Progres Raportin për Shqipërinë, qershor 2014). Vetëm pasi përfundoi vlerësimi profesional i të gjithë kandidatëve vijoi procesi i emërimit të drejtuesve të gjykatave. Vonesa e këtij procesi në këtë rast ka ardhur pikërisht për shkak të vendosjes së një standarti të paaplikuar më parë, i cili ka rritur ndjeshëm përgjegjshmërinë në sistem. Në këtë kontekst, natyrshëm që do të kishte një vonesë, pikërisht për shkak të rritjes së cilësisë së këtij procesi.

- Në emërimin e kryetarëve të gjykatave është vendosur një standart dhe është bërë e pamundur që të konkurojnë gjyqtarët të cilët nuk kanë vlerësimin profesional dhe etik "shumë mirë". Është hera e parë, pas pothuajse 24 vite, që kryetarët e gjykatave në vendin tonë kanë vlerësimin profesional "shumë mirë" ndërkohë që më parë nuk bëhej fjalë për një gjë të tillë. Edhe vetë ligji në fakt e parashikon mundësinë e zgjedhjes së një kryetari gjykate edhe kur ka vetëm një vlerësim. Nëse KLD do të kishte vendosur që kryetarët e gjykatave të emërohen pasi të miratohet edhe vlerësimi i dytë etiko-profesional për secilin kandidat, sikurse është pretenduar sistematikisht edhe nga Ministri i Drejtësisë, atëherë ky proces do të ishte shtyrë edhe më tepër në kohë, duke e lënë situatën në të njëjtën gjendje edhe për disa vite të tjera. Pra vendimmarrja e KLD në këtë rast ka qënë e imponuar nga rrethanat faktike dhe më racionalja e mundshme.

- Privimi për pak muaj nga paga i disa gjyqtarëve të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje erdhi për shkak të procesit të riorganizimit të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, çka në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se statusi i tyre është cënuar. Për rrjedhojë, është e tepërt të flitet për keqorganizim të pushtetit gjyqësor, kompetencë kjo kryesore e Ministrit të Drejtësisë dhe e Ministrit të Financave. Në fakt nga Zëvendëskryetari i KLD i është kërkuar disa herë Ministrisë së Financave me disa shkresa që të ndërhyhet për të riparuar situatën e mos dhënies së pagave për disa gjyqtarë, por nga ana e kësaj Ministrie nuk u gjet vullneti për bashkëpunim. Sidoqoftë, me transferimin e dy gjyqtarëve mbi numrin e përcaktuar në atë gjykatë, pas një kohe relativisht të shkurtër, situata është riparuar plotësisht.

- Këshilli në të gjitha rastet e trajtimit të kërkesave të ndryshme të gjyqtarëve dhe në mënyrë të vecantë gjatë procesit të emërimit të tyre, ka mbajtur një qëndrim rigorozisht jashtë çdo influence politike. Në përzgjedhjen e gjyqtarëve, kriteri dominant i marrë në konsideratë nga KLD ka qënë statusi i gjyqtarit, aftësia profesionale dhe integriteti personal i personit. Përveç emërimit të zj. Enkelejdi Hajro (magjistrate dhe ish-gjyqtare), përmendim këtu qëndrimin e KLD në rastin e riemërimit si gjyqtar në gjykatën e shkallës së parë Tiranë të z. Artan Lazaj, i cili ishte përfaqësues politik i Partisë Socialiste në KQZ. Po ashtu KLD ka mbajtur qëndrim krejtësisht mirëkuptues edhe në rastin e zj. Alma Hicka, aktualisht Avokate e Përgjithshme e Shtetit, të cilës iu akordua leje për të punuar në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë duke iu ruajtur statusi i gjyqtarit, megjithëse duke qenë në detyrën e inspektorit në KLD, nuk e kishte njoftuar këtë të fundit paraprakisht për emërimin e saj të ri, duke e vënë atë para faktit të kryer.

Sikurse rezulton nga sa më sipër, e gjithë kjo veprimtari e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, megjithëse e imponuar nga rrethana objektive që nuk vareshin nga vetë Këshilli, ka qënë totalisht e mbështetur në Kushteutën e vendit dhe në kuadrin ligjor përkatës. Një veprimtari e një organi kolegjial ku vullnetet e secilit anëtar, bindjet e tyre, si të atyre të cilët janë gjyqtarë të Republikës apo atyre jo gjyqtarë, ku pothuajse në të gjitha rastet e sipërcituara është e "njëzëshme", ka dhënë produktin vendimmarrje për të cilin Këshilli akuzohet si shkelës i ligjit.


"Neni 18
Kolegjialiteti

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i kryen funksionet që i janë ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, në mënyrë kolegjiale në mbledhjet e tij."

 

"Neni 26
Vlefshmëria e vendimeve

1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr vendimet me shumicën e votave të anëtarëve që janë të pranishëm në mbledhje. ........."

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë thekson se mirëfunksionimi i ndarjes së pushteteve, kontrolli dhe ballanca, janë themeli i një shteti të së drejtës dhe në këtë kontekst, ai mirëpret nga Kuvendi i Shqipërisë bashkëpunim të vazhdueshëm për reformën në sistemin e drejtësisë për përmirësimin e mëtejshëm të tij.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË

 

Tiranë, Shtator 2014.