Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 17.10.2014

logo-kldKëshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot datë 17.10.2014, mbledhjen e radhës e cila nisi me një mesazh të Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, kundër çdo ndërhyrjeve të pushtetit legjislativ në veprimtarinë e KLD-së.

Në fjalën e tij, Presidenti Nishani, e konsideroi një praktikë të paprecedentë dhe të papranueshme shfrytëzimin e një pushteti të caktuar nga disa parlamentarë, për të hetuar deri dhe jetën private të anëtarëve të KLD-së dhe familjarëve të tyre.

Në vijim të fjalës, Presidenti Nishani u shpreh se:"Nisur nga një situatë shumë shqetësuese dhe pa e precedent që është krijuar së fundmi ku një grup deputetësh të Kuvendit në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit, në shkelje të rëndë të ligjeve të vendit, kanë nisur dhe po realizojnë një hetim "quasi gjyqësor" për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Është e palejueshme nga Kushtetuta dhe nga ligjet që një pushtet, siç është pushteti legjislativ, të hetojë "quasi gjyqësisht" një pushtet tjetër që është pushteti gjyqësor. Kjo është e paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Çdo vendim dhe çdo qëndrim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mund të kundërshtohet dhe mund të gjykohet vetëm nga sistemi gjyqësor dhe është Gjykata e Lartë e vendit, ajo e ngarkuar nga ligji për të hetuar dhe gjykuar vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si një pjesë e pushtetit gjyqësor. Përtej kësaj, kam konstatuar dhe dëshiroj ta theksoj që edhe një praktikë e paprecedentë e shfrytëzimit të një pushteti të caktuar nga disa parlamentarë për të hetuar deri dhe jetën private të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të hetuar familjarët e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është e papranueshme. Natyrisht për fat të keq ky precedent dhe kjo praktikë tashmë është vendosur, çka do t'i lejojë çdo shumice parlamentare që do të vijë në këtë vend, jo vetëm të ndryshojë sipas objektivave politikë përbërjen e institucioneve të pavarura, por i ka krijuar tashmë praktikën fatkeqe që të futet dhe të hetojë në jetën personale, familjare të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të gjyqtarëve".

Në këtë kontekst, kreu i shtetit, inkurajoi anëtarët e KLD-së, që të vijojnë të përmbushin detyrimet e tyre që ligji i ngarkon si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të garantuar funksionimin normal të institucioneve Kushtetuese në vend.

Në këtë linjë, Presidenti Nishani u shpreh se: "....Unë e kuptoj situatën e vështirë me të cilën anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndodhen, gjithsesi unë do t'ju kërkoja që të vijoni me përmbushjen e detyrave të misionit tuaj, të vijoni me përmbushjen e detyrimeve që ligji ju ngarkon si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në mënyrë të tillë që gjithsesi institucionet e këtij vendi, institucionet e këtij shteti, të vijojnë përmbushjen e detyrave kushtetuese, të vijojnë përmbushjen e detyrave ligjore dhe natyrisht instrumentat Kushtetues të vendit të vazhdojnë dhe të kontribuojnë në garantimin e së drejtës kushtetuese, në garantimin e sigurisë ligjore dhe në garantimin padyshim të një ambienti normal të punës të këtyre institucioneve dhe anëtarëve të këtyre institucioneve. Unë dëshiroj që të ritheksoj edhe një herë, jo vetëm për arsye protokollare por edhe për shkak të realitetit që kemi dhe duhet të nënvizojmë, vlerësimin tim maksimal për të gjithë anëtarët e këtij Këshilli, për seriozitetin që kanë treguar, për angazhimin që kanë treguar, për profesionalizmin që kanë treguar pavarësisht debateve edhe është krejt normale që në Këshillin e Lartë të Drejtësisë të ketë debate, të këtë këndvështrime të ndryshme, ajo është pikërisht çka edhe ky instrument i ligjit edhe ky, kjo trupë e pushtetit gjyqësor, ka në objektivin e vet, ka në synimet e saj, prandaj është edhe ky kompozim, për të sjellë kompozimet e përfaqësuesve të institucioneve dhe pushtete të ndryshme, kështu që vazhdoj mbetem në vlerësimet e mia maksimale për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E ndjeva të nevojshme edhe si një detyrim edhe obligim, jo vetëm për të tashmen që t'i parashtroj Këshillit të Lartë të Drejtësisë këtë qëndrim timin si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por natyrisht edhe si President i Republikës".

Pas fjalës së Presidentit Nishani, anëtarët e Këshillit, shqyrtuan dhe miratuan programin "Mbi përcaktimin e kryetarëve të gjykatave që do t'i nënshtrohen vlerësimit për dy vjet në detyrë".

Në përputhje me rendin e ditës, seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vijoi me shqyrtimin e kandidaturave për emërimin e kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, Shkodër, Kurbin, Durrës, Vlorë dhe Pukë.
Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit me shumicë votash zgjodhën në detyrën e Kryetarit të gjykatës kandidatët e mëposhtëm:

Z. Arben Zefi - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Z. Alfred Gjoni - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Znj. Joana Qeleshi - Kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Z. Skënder Haluci - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Z. Bib Ndreca - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e Këshillit vendosën ngritjen e një grupi pune për hartimin e kritereve të vlerësimit të Inspektorëve të KLD-së, në përputhje me ligjin e ri nr.101/2014 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811/2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", të ndryshuar. Pas diskutimeve, anëtarët e Këshillit vendosën që pjesë e këtij grupi pune të jenë anëtarët, z. Dritan Caka, z. Flamur Kapllani dhe z. Sokol Çomo.

Në vijim të rendit të ditës, Këshilli pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë vendosi të shtyjë për një mbledhje tjetër shqyrtimin e propozimit të Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e disa vendeve vakante në sistemin gjyqësor.

Gjithashtu pasi u njoh me kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për të pasur më shumë kohë në dispozicion, Këshilli vendosi të shtyjë për një mbledhje tjetër shqyrtimin e propozimit të Ministroit të Drejtësisë për përcaktimin e vendeve vakante në dispozicion të magjistratëve që kanë përfunduar studimet për vitin akademik 2013 – 2014.

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.