Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 11.04.2014

logo-kldKëshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani, zhvilloi mbledhjen e radhës, sot në datë 11.04.2014, e cila nisi me diskutimet për zgjidhjen e situatës së organikës në lidhje me numrin e gjyqtarëve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, duke mbajtur parasysh Dekretin e Presidentit të Republikës.

Në vijim të rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi kandidaturat për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës. Pasi dëgjuan platformat e dy kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin si Kryetar të Gjykatës së Apelit Durrës, të z. Petrit Çeno.

Më tej mbledhja e Këshillit vijoi me shqyrtimin e kandidaturave për emërimin e kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Dibër. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin përkatësisht si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër të z. Halil Vani.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturës së znj. Gentiana Xhelili, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, për emërim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e znj. Gentiana Xhelili, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë.

Këshilli, duke pasur parasysh numrin e madh të cështjeve për diskutim në rendin e ditës si dhe duke qënë i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka diskutimi i procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve, vendosi shqyrtimin e propozimeve të Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor për pesë gjyqtarë në një seancë plenare të vecantë e cila do të mbahet ditën e martë datë 15 prill 2014.