Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim
  • Simple Image Gallery Pro Notice: Joomla!'s /cache folder is not writable. Please correct this folder's permissions, clear your site's cache and retry.

Njoftim - 10.03.2014

logo-kldNë ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u zhvillua sot, analiza e punës për të gjitha Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit Administrativ që prej funksionimit të tyre në datën 4 nëntor. Në praninë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, dhe të anëtarëve z. Flamur Kapllani, dhe z. Ilir Mustafaj, Kryetarët e këtyre Gjykatave raportuan mbi ecurinë e punës, numrin e çështjeve të gjykuara dhe problematikat që kanë shoqëruar këto Gjykata.

Në fjalën e tij, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, u shpreh se një gjykatë administrative efikase, do të thotë shpejtësi, por edhe transparencë në vendimmarrje dhe kjo padyshim që do të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, z. Çefa theksoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si kurdoherë do të kërkojë në vazhdimësi nga trupa gjyqësore administrative, që të jetë model në zbatimin e ligjit.
Duke u ndalur te problematikat që kanë dalë gjatë ushtrimit të veprimtarisë të Gjykatave Administrative, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Çefa tha: "Problem dhe sfidë e radhës mbetet nevoja për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve administrative në këto gjykata, pa të cilat puna e gjyqtarit të vetëm do të ishte joeficente. Fjalën e kam për plotësimin e këshilltarëve ligjorë të gjyqtarëve, përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së punës, futjen e teknologjisë në shortimin e çështjeve dhe regjistrimin e seancave. Këto janë detyra që nuk i përkasin KLD në fakt, por ne do të jemi vazhdimisht në kërkim të përmbushjes së këtyre standardeve".

Në këtë linjë, z. Çefa u shpreh se: "KLD nuk do të bëjë kompromis me askënd, në kurriz të së drejtës së publikut për të marrë drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Këshilli do të jetë monitorues i kujdesshëm, por edhe penalizues i ashpër në të gjitha rastet, kur do të identifikohet veprimtari joligjore".

Fjala e plotë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Çefa, mbajtur gjatë analizës punës për të gjitha Gjykatat Administrative:

Të nderuar të pranishëm,

Me kënaqësi konstatoj, që megjithë vështirësitë e fillimit, përgjithësisht puna e deritanishme në gjykatat administrative është e kënaqshme.
Këto gjykata, të krijuara dhe konceptuara si një garanci e shtuar për publikun në marrëdhëniet e tij me administratën shtetërore janë prej kohësh të mirëpritura vecanërisht nga komuniteti i bisnesit.
Nga dita që këto gjykata kanë filluar punën çdo qytetar ka një mundësi më shumë për akses në drejtësinë administrative, duke dëshmuar kështu një standard më të lartë në sistemin e drejtësisë.
Gjithsesi nuk ka vënd për vetëkënaqje.
Investimi intensiv i KLD në këtë proces, dhe përpjekjet tona të përbashkëta deri tani për ngritjen dhe forcimin e një gjykate të shpejtë dhe efektive, nuk duhet kurrësesi të shkojnë dëm. Në këtë pikë nuk do të tolerojmë.
Një gjykatë administrative efikase, do të thotë shpejtësi, por edhe transparencë në vendimmarrje dhe kjo padyshim që do të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Duke mundësuar edhe protagonizmin e qytetarëve në monitorimin e aktivitetit të gjykatave do të garantoni transparencë e përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrave tuaja.

Problem dhe sfidë e radhës mbetet nevoja për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve administrative në këto gjykata, pa të cilat puna e gjyqtarit të vetëm do të ishte joeficente. Fjalën e kam për plotësimin e këshilltarëve ligjorë të gjyqtarëve, përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së punës, futjen e teknologjisë në shortimin e cështjeve dhe regjistrimin e seancave. Këto janë detyra që nuk i përkasin KLD në fakt, por ne do të jemi vazhdimisht në kërkim të përmbushjes së këtyre standarteve.

Në këtë mision keni pa asnjë rezervë mbështetjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ne, duke qenë të vetëdijshëm në rëndësinë dhe impaktin që ka në publik veprimtaria e Gjykatave Administrative, do të monitorojmë me shumë vëmendje punën Tuaj.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si kurdoherë do të kërkojë në vazhdimësi nga ju, si pjesë e trupës gjyqësore administrative, që të jeni model në zbatimin e ligjit. KLD nuk do të bëjë kompromis me askënd, në kurriz të së drejtës së publikut për të marrë drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Këshilli do të jetë monitorues i kujdesshëm, por edhe penalizues i ashpër në të gjitha rastet, kur do të identifikohet veprimtari joligjore.

Galeri imazhesh

{gallery}403{/gallery}