Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim
  • Simple Image Gallery Pro Notice: Joomla!'s /cache folder is not writable. Please correct this folder's permissions, clear your site's cache and retry.

Njoftim - 09.04.2014

logo-kldZëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, mori pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë mbi projektin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë "Për një drejtësi pa vonesa", ku ishin të pranishëm, ambasadori i OSBE-së, zëvendësambasadori SHBA-së, Ministri i Drejtësisë, dhe një sërë drejtues institucionesh. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, z. Çefa theksoi rëndësinë që ka për KLD gjykimi i çështjeve pa vonesa të pajustifikuara.

Në këtë linjë, z. Çefa u shpreh se shumica e ankesave që vijnë nga qytetarët kanë pikërisht si objekt zvarritjen e pajustifikuar të proceseve gjyqësore. KLD mbështetur në ketë fakt, në zbatim të detyrave funksionale krahas masave penalizuese për gjyqtarët që zvarrisin proceset gjyqësore, i mban parasysh këto raste për efekt të vlerësimit profesional dhe etik të tyre. z. Çefa theksoi se mbështetja e OSBE-së dhe USAID-it, si dhe e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndaj këtij projekti, nënvizojnë më së miri interesin tonë të përbashkët për një drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Në këtë kontekst z. Çefa tha se: "Të gjithë jemi dëshmitarë që aktivizimi shpeshherë joserioz, apo edhe mungesa e pajustifikuar e aktorëve në procesin gjyqësor, duke filluar nga institucionet shtetërore, dhe më pas e avokatit, ekspertit, apo të pandehurit, bën që proceset gjyqësore të shtyhen për një kohë të gjatë dhe të pajustifikuar, duke cënuar në fakt thelbin e qëllimit që ka vetë procesi. Prandaj edhe ky projekt do të ishte i dështuar pa mbështetjen e të gjithë këtyre aktorëve, që në fakt duhet të jenë faktorë ndihmës në procesin gjyqësor, me seriozitet, profesionalizëm dhe ndershmëri, për t'i shërbyer dhënies së drejtësisë, dhe forcimit të shtetit ligjor".

Fjala e plotë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë z. Elvis Çefa:

 

E nderuar Zonja Azizi,
I nderuar zoti Ministër,
I nderuar zoti Raunig,
I nderuar zoti Carver,
Të nderuar anëtarë të KLD
Të nderuar pjesëmarrës,

 

Kam kënaqësinë të marr pjesë në këtë takim të këtij niveli, takim i domosdoshëm për mbarëvajtjen e një projekti të ri dhe shumë të rëndësishëm për punën tonë të përbashkët.

Ne të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se një dozë e mirë e përceptimit jo të mirë që ka përgjithësisht publiku për sistemin gjyqësor i faturohet pikërisht kohës së gjatë që merr një proces gjyqësor. Zgjatja e proceseve gjyqësore për shkaqe të cilat me vullnet të mirë mund edhe të shmangen, përbën një fenomen negativ ndaj të cilit duhet të luftojmë të gjithë së bashku.

Pranë, Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shumica e ankesave që vijnë nga qytetarët kanë pikërisht si objekt zvarritjen e pajustifikuar të proceseve gjyqësore. KLD mbështetur në ketë fakt, në zbatim të detyrave funksionale krahas masave penalizuese për gjyqtarët që zvarrisin proceset gjyqësore, i mban parasysh këto raste për efekt të vlerësimit profesional dhe etik të tyre.

Projekti i titulluar "Për një drejtësi pa vonesa", ka pikërisht për qëllim të reduktojë ndjeshëm kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, nëpërmjet zbatimit të një sërë hapash praktike për t'i bërë seancat gjyqësore më produktive dhe efikase. Mbështetja e OSBE-së dhe USAID-it, si dhe e KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndaj këtij projekti, nënvizojnë më së miri interesin tonë të përbashkët për një drejtësi të shpejtë dhe cilësore. Në këtë kontekst çdo kontribut për t'i ndihmuar gjykatat t'ua lehtësojnë hallet njerëzve që përballen me to, përkrahen fuqishëm nga Ne.

Zhvillimi i seancave joproduktive për shkak të mungesës së pjesëmarrësve në gjykim, duhet të jetë një fenomen për tu harruar. Jemi në vitin 2014 dhe me gjithë problemet e shumta që ende ka shoqëria shqiptare, gjykimi brenda një afati të arësyeshëm është një standart që qytetarët e këtij vendi e meritojnë. Në këtë pikë, jemi të vonuar...

Projekti "Për një drejtësi pa vonesa", ideja për fillimin e të cilit ishte e OSBE-së dhe USAID-it, dhe që ka marrë menjëherë mbështetjen më seriozetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, synon pikërisht të përmirësojë më tej këtë standard kushtetues.

Rezultat e para të këtij projekti pilot të iniciuar në gjykatën e Rrethit Krujë janë optimiste. Unë besoj se për një kohë të shkurtër në Gjykatën e Krujës mund të arkivohet shprehja e famshme "Drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar". Kjo, përvec kënaqësisë, do të na japë të gjithëve bashkë mundësinë për ta shtrirë projektin gradualisht në shumë gjykata të tjera.

Këshilli, por edhe unë personalisht, siç jam angazhuar edhe në takimet fillestare me drejtues të këtij projekti, do japin kontributin tonë për suksesin e tij, i cili në thelb rrit shkallën e efikasitetit të sistemit gjyqësor, duke ulur numrin e seancave gjyqësore për cështje. Objektivi i projektit që deri në korrik 2014 gjykata e rrethit gjyqësor Krujë ta ketë ulur numrin e seancave (për çështjet civile komplekse me palë kundërshtare) në 1 seancë përgatitore dhe 3 seanca gjyqësore, është tepër ambicioz dhe një shembull për tu ndjekur nga Gjykatat e tjera..

Të gjithë jemi dëshmitarë që aktivizimi shpeshherë joserioz, apo edhe mungesa e pajustifikuar e aktorëve në procesin gjyqësor, duke filluar nga institucionet shtetërore, dhe më pas e avokatit, ekspertit, apo të pandehurit, bën që proceset gjyqësore të shtyhen për një kohë të gjatë dhe të pajustifikuar, duke cënuar në fakt thelbin e qëllimit që ka vetë procesi. Prandaj edhe ky projekt do të ishte i dështuar pa mbështetjen e të gjithë këtyre aktorëve, që në fakt duhet të jenë faktorë ndihmës në procesin gjyqësor, me seriozitet, profesionalizëm dhe ndershmëri, për t'i shërbyer dhënies së drejtësisë, dhe forcimit të shtetit ligjor.

Pikërisht për këtë fakt unë vlerësoj sot, vecanërisht pjesëmarrjen dhe interesin e treguar nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve jo gjyqësore, dhe në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ju inkurajoj të jeni aktivë në këtë luftë që nuk është vetëm e jona!

Jam besimplotë që që të gjithë së bashku do të bëjëmë të mundur që edhe ky projekt, të jetë një histori suksesi.

Së fundmi, më lejoni, që në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të shpreh mirënjohjen dhe falenderimet ndaj prezencës së OSBE në Shqipëri dhe USAID që kanë mbështetur dhe japin kontributin e tyre në forcimin dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Galeri imazhesh

{gallery}423{/gallery}