Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Njoftim - 05.12.2014

logo-kldKëshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, zhvilloi sot në datë 05.12.2014, mbledhjen plenare, në rendin e ditës të së cilës ishin shqyrtimi i çështjeve të mbartura nga mbledhja paraardhëse e datës 17.10.2014.

Më tej mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Apelit Vlorë. Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi ti propozojë, Presidentit të Republikës, emërimin e znj. Klodiana Gjyzari, si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e Këshillit vendosën që të shtynë për mbledhjen e ardhshme procesin e plotësimit të 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Apelit Durrës dhe të 2 (dy) vendeve vakante, në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit E.P. Pas diskutimeve mes anëtarëve, bazuar në kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli vendosi: Të rrëzojë propozimin e parë të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore transferim, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, në një gjykatë të një niveli më të ulët për gjyqtarin E.P. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtarin në fjalë.

Në vijim të rendit të ditës, Këshilli vendosi, pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, të shtyjë për një kohë të shkurtër përcaktimin e vendeve vakante në dispozicion të magjistratëve që kanë përfunduar studimet për vitin akademik 2013 – 2014.

Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit etj.

Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 "Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve". Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 5 (pesë) gjyqtarët e mëposhtëm:

- Sokol Ibi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë;
- Sonjela Voskopi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
- Niko Rapi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec;
- Admir Belishta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
- Valbon Çekrezi, Gjykata e Apelit Durrës;