Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp, datë 17.01.2013

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, i drejton Zëvendëskryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, pranë Kuvendit të Shqipërisë, Z. Fatmir Xhafaj një letër publike lidhur me shqetësimin e tij për zbatimin e Ligjit për Gjykatat Administrative.

"I nderuar z. Xhafaj,

Në cilësinë e Zëvëndëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u njoha dhe vlerëova shqetësimet Tuaja të pasqyruara në letrën drejtuar anëtarëve të Këshillit, dhe Ju siguroj se pretendimet Tuaja janë të pabazuara në ligj.

Më lejoni si fillim, t'Ju bëj me dije se baza ligjore të cilës i referoheni është e paqenë pasi si në nenin 4 të ligjit nr.49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative" ashtu edhe në nenin 4 të shtojcës përkatëse, nuk ekziston asnjë "pikë a".

I ndërgjegjshëm që mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor në Shqipëri mbetet një sfidë e vështirë dhe duke kuptuar thellësisht rëndësinë e këtij sistemi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë si autoriteti shtetëror kushtetueshmërisht përgjegjës për mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, po angazhohet plotësisht në përmbushjen e pjesës së tij të përgjegjësisë në mirëfunksionimin e shtetit ligjor, si një kërkesë themelore për procesin e integrimit të vendit në BE.

Reforma e drejtësisë përfshin sigurisht edhe reformën për gjykatën administrative, e cila synon konsolidimin e pozitës së qytetarëve dhe të biznesit përballë autoriteteve publike nëpërmjet një seti rregullash të miratuara së fundmi me votë të gjerë konsensuale nga Kuvendi, me asistencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

KLD, tashmë gjendet në fazën e zbatimit të këtij legjislacioni dhe hapi i parë është rekrutimi i gjyqtarëve profesionalë dhe me integritet, në përputhje me procedurat e përcaktuara në ligjin konsensual të miratuar nga Kuvendi. Kështu, neni 5 i ligjit nr. 49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative" përcakton se KLD është autoriteti që përzgjedh kandidatët për gjyqtarë administrativë, ne funksion te se ciles Shkolla e Magjistraturës organizon një testim seleksionues me shkrim. Përberja e komisionit është e përcaktuar ne ligj. Pra, organizimi i testimit nga Shkolla e Magjistraturës është pjesë e përgjegjësisë që ka KLD-ja për realizimin e të gjithë procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve dhe kurrsesi nuk mund të konsiderohet si përgjegjësi eskluzive e Shkollës së Magjistraturës. E drejta që ka Këshilli për të rregulluar me akte nënligjore këtë proces (neni 71, pika 1 i ligjit) nuk e ndalon atë që të organizojë këtë procedurë, të orientojë Shkollën e Magjistraturës apo të përcaktojë në akte të tij përbërjen e komisionit të fondit të pyetjeve.

Mbi kuadrin ligjor të sipërpërmendur, në ushtrim të plotë të kompetencave kushtetuese dhe në përmbushje të misionit te tij, Këshilli miratoi vendimin nr.299/1, date 30.11.2012 "Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit", me të cilin është mundësuar zbatimi efektiv i vullnetit të ligjvënësit. Në hartimin dhe miratimin e këtij akti nënligjor Këshilli, në respekt të vullnetit të ligjvënësit, ka patur patur parasysh të gjitha atributet që i burojnë nga tërësia e kuadrit ligjor në fuqi që prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë ", ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë" si dhe të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative".

Vendimi në fjalë është hartuar në bashkëpunim të afërt me vetë Shkollën e Magjistraturës. Ky vendim i cili nuk bën asgjë tjetër përveç miratimit të rregullave më të detajuara të organizimit të testimit, u bazua në nevojën për të identifikuar çdo hap të procesit dhe për përgatitjen serioze të fondit të pyetjeve, të cilat nuk mund të përdoren nga arkiva e gatshme e Shkollës së Magjistraturës. (Kjo për arsye se fondi ekzistues i pyetjeve të Shkollës vlen për të diplomuarit nga Fakulteti Juridik, për t'u pranuar në Shkollën e Magjistraturës, që në mënyrë evidente janë të një niveli më të ulët se sa ai i gjyqtarëve).

Asnjë ligj nuk e ndalon dhe nuk mund ta ndalojë Këshillin të marrë çdo masë që e konsideron të arësyeshme për organizimin sa më të mirë në funksion të rritjes së garancisë dhe integritetit të këtij testimi. Fakulteti i Drejtësisë dhe stafi i tij akademik janë ata që çdo ditë përgatisin studentët që më vonë bëhen prurja kryesore e Shkollës së Magjistraturës.

Vendimi i miratuar nga KLD nuk kapërcen aspak vullnetin e ligjvënësit, madje është në përputhje të plotë me misionin dhe me dispozitat kushtetuese. Nën këtë frymë, Kushtetuta njeh si organin qeverisës të pushtetit gjyqësor, pikërisht KLD-në, të cilit i jep atributet e emërimit të gjyqtarëve me formulën e propozimit të kandidaturave tek Presidenti i Republikës.

Pjesëmarrja në "Komisionin e Fondit të Pyetjeve" dhe "Komisionin Administrues të Testimit" edhe e një përfaqesuesi nga Fakulteti i Drejtësise të Universitetit të Tiranës, Universitetit më të rëndësishëm në vend, emrimi si "Kryetar" në këto komisione, të perfaqësuesit të Këshillit, apo dhe depozitimi i fondit të pyetjeve në ruajtje pranë Zëvëndëskryetarit, nuk perbëjne kurrsesi shkelje të ligjit apo divijim të vullnetit të ligjvënësit. Zëvëndëskryetari i K.L.D.-së ka funksionin dhe detyra të tjera, shumë më të rëndësishme, të cilat legjislacioni i Republikës së Shqipërisë i ka besuar, prandaj edhe Ju duhet të keni besim në këtë institucion, ashtu siç keni besim në Shkollën e Magjistraturës.

Zoti Xhafa, është po ashtu i pavërtetë dhe dizinformuespretendimi Juaj, se vendimi në fjalë i Këshillit nuk është publikuar. Ju sqaroj se ky vendim gjendet i publikuar në faqen zyrtare të ëeb-it të KLD që prej ditës që është miratuar nga Këshilli në adresën Rregullat e provimit per Gjykatat Administrative. Ky informacion ka qënë dhe është lehtësisht i verifikueshëm nga kushdo. Çdo përdorues i rregullt i faqes zyrtare të KLD-së, ka mundur të gjejë këtë vendim që prej dt. 30.11.2012.

Po ashtu më duhet të saktësoj se zhvillimi i testimit bazohet gjerësisht në modelin tashmë të konsoliduar të provimit të pranimit të kandidatëve për gjyqtarë të organizuar çdo vit nga Shkolla e Magjistraturës dhe roli i çdo anëtari të komisionit do të jetë i orientuar drejt respektimit të rregullave formale. Kjo përputhet edhe me metodën elektronike të korrigjimit të testimeve, metodë e cila nuk lë vend për hapësirë të vlerësimit diskrecional të anëtarëve të komisionit.

Megjithë vështirësitë teknike deri në pamundësi për përmirësimin e tyre në të ardhmen, që paraqet fakti se rregullat e detajuara organizative të një konkursi, të cilat në çdo model bashkëkohor evropian testimi janë pjesë e akteve nënligjore, u bënë pjesë e një ligji që miratohet me shumicë të cilësuar prej 3/5, Këshilli ia doli të rregullojë procedurën dhe ta bëjë të aplikueshme shtojcën e ligjit.

Ju siguroj nën përgjegjësinë time të plotë se nuk ka asnjë përpjekje nga Këshilli apo nga ndonjë institucion tjetër i këtij vëndi për ndërtimin e praktikave dhe mekanizmave abuzivë, por rigorozitet ne zbatimin e detyrave që burojnë nga ligji. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë të gjithë juristë të spikatur dhe të vlerësuar në punën e tyre dhe kurrësesi shkelës të rëndomtë të ligjit, sic Ju tentoni t'i etiketoni ! Përkundrazi, në përceptimin tim, qëndrimi Juaj po konsolidon frymën e bllokimit të reformës në drejtësinë administrative. Përfitoj nga rasti t'Ju ftoj të jepni kontribut konkret në zbatimin pa vonesë të ligjit Nr. 49/2012.

Sikurse Ju vetë e dini po aq mirë sa unë, përmirësimi i drejtësisë administrative është një prej reformave më thelbësore të ndërmarra në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe nuk meriton të baltoset me insinuata tërësisht të pabazuara.

Ne sinqerisht shpresojmë në kontributin Tuaj për miratimin ligjit për Gjykatën e Lartë, çka do të ishte dobishmëria më madhe që çdo ligjvënës shqiptar do ti jepte sistemit gjyqësor në tërësi, K.L.D.-së por mbi të gjitha qytetarëve dhe biznesit përballë autoriteteve publike.

Me besim në mirëkuptimin Tuaj

Zëvëndëskryetari

Elvis Çefa"