Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp 19.02.2013

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa, së bashku me anëtarin e KLD-së Z. Hysen Saliko, ka vijuar edhe sot pjesëmarrjen në zhvillimin e analizave vjetore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, të Gjykatës të Apelit Durrës dhe të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Në kuadër të zhvillimit të analizave vjetore të Gjykatave në vend, ku pasqyrohet puna një vjeçare e trupave gjyqësore përkatëse, Kryetarët e Gjykatave të sipërcituara raportuan mbi ecurinë e punës, numrin e çështjeve civile dhe penale, volumin e punës për secilin gjyqtar, si dhe mbi problematikat administrative.


Gjatë analizës, Kryetarët e këtyre Gjykatave informuan mbi cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimit të çështjeve. Në takimet në fjalë Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, u shpreh ndër të tjera, mbi rëndësinë që ka cilësia dhe shpejtësia në dhënien e drejtësisë, si element thelbësor në zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe tregues i drejtëpërdrejtë i rritjes së performancës së gjykatave.
Ndërsa vlerësoi punën e këtyre Gjykatave, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa, theksoi rëndësinë që ka zbardhja brenda afateve ligjore të vendimeve.
Gjatë analizave në këto gjykata u konkludua se inspektimet e realizuara dhe fryma e re në drejtimin e KLD-së, kanë sjellë përmirësim të treguesve cilësorë dhe sasiorë, veçanërisht në çështjet me sensitet të lartë për publikun, si zbardhja dhe dorëzimi i vendimeve brenda afateve ligjore të parashikuara.
Z. Cefa gjate fjalës së tij përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së parë Durrës u shpreh: "Dhënia e një mase disiplinore ndaj një gjyqtari dhe aq më pak shkarkimi i një gjyqtari nuk janë qëllim në vetvete i KLD. Shkarkimi i një gjyqtari për mua është një ngjarje aspak e këndëshme, madje e trishtë. Qëllimi i KLD është rritja e forcimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor, por kurdoherë duke mos toleruar asnjë veprim abuziv nga asnjë gjyqtar."
Zëvendëskryetari përcolli angazhimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të qenë sa më bashkëpunues, për përmirësimin e veprimtarisë së gjykatave. Gjithashtu, edhe trupa gjyqësore shprehu angazhimin maksimal për rritje të performancës në dhënien e drejtësisë, për t'i shërbyer me korrektesë publikut.