Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp, datë 18.01.2013

Presidenti i Republikës hapi mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, datë 18.01.2013, me një mesazh të fortë solidariteti mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni. Presidenti i Republikës shprehu besimin e plotë se autorët do të marrin përgjegjësitë ligjore nga organet kompetente.

Ai theksoi se askush nuk mund të cënojë personalitetin, sigurinë dhe integritetin e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Presidenti shprehu predispozitën maksimale për të garantuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe larg korrupsionit, por edhe për të mbrojtur integritetin e çdo gjyqtari. Në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës, u përcoll mbështetja për të gjithë trupën gjyqësore dhe gatishmëria për të bashkëpunuar në rritjen e garancive të sigurisë së gjyqtarëve.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë realizoi procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për funksionin drejtues në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke votuar në unanimitet për gjyqtarin Fatri Islamaj. Vendimmarrja e Këshillit u bazua në vlerësimin e punës dhe integritetin e lartë të gjyqtarit Islamaj, por edhe në ndryshimet pozitive të konstatuara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë periudhës kohore që z. Islamaj ushtroi funksionin e kryetarit në detyrë.
Këshilli miratoi grafikun e analizës vjetore në gjykatat e rretheve gjyqësore dhe të apelit, duke theksuar domosdoshmërinë e zhvillimit të këtyre analizave në prezencë të anëtarëve të KLD me qëllim evidentimin e problematikave në gjykata dhe trajtimin e tyre me seriozitet në mbledhjet plenare.
Mbledhja vijoi me propozimet për emërimin përfundimtar të 8 (tetë) magjistratëve, të cilët kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, 2011 – 2012, profili gjyqtar, në vendet e vëna në dispozicion të tyre, me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 297/1, datë 15.11.2012. Vendimi i Këshillit u bazua në meritokraci, duke marrë në konsideratë vlerësimin dhe renditjen e Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës.
Duke e konsideruar ngritjen profesionale të gjyqtarëve një çështje të rëndësishme me impakt të drejtpërdrejtë në dhënien e drejtësisë, Këshilli trajtoi si pikë të veçantë të rendit të ditës trajnimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve, me fokus tematikat e seminareve të organizuara dhe përzgjedhja e lektorëve. Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës parashtroi në Këshill një informacion të detajuar në lidhje me procesin e trajnimit të vazhdueshëm, duke theksuar arritjet pozitive dhe evidentuar pikat që duhen përmirësuar, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.
Mbledhja e Këshillit vijoi me emërimin e Kryeinspektorit pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Zj. Marsida Xhaferllari, duke vlerësuar integritetin, rezultatet e saj si magjistrate, por dhe eksperiencën e gjatë dhe të suksesshme në funksionet drejtuese të administratës shtetërore.
Z. Ilir Mustafaj u zgjodh me unanimitet si përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin Administrues të Testimit kualifikues për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Apelit.

Gjatë diskutimit të organizimit të procedurës së përzgjedhjes së gjyqtarëve në gjykatat administrative, në përputhje me parashikimet përkatëse ligjore, duke marrë në konsideratë vendimin e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Këshilli vendosi të shtyjë datën e zhvillimit të testimit seleksionues në gjykatat administrative, deri në një vendimmarrje të dytë brenda datës 15 Shkurt 2013. Zhvendosja e datës së provimit e caktuar më parë me vendimin 299/1, datë 30.11.2012, u miratua pas kërkesës së Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Këshilli vendosi gjithashtu vlerësimin "Shumë mirë" për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Marina Raboshta.

Në lidhje me procedimin disiplinor të gjyqtarëve, u vendos rrëzimi i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore 'vërejte' ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Dhurata Bilo, si dhe shtyrja e shqyrtimit të 4 (katër) kërkesave të tjera për procedim.

Gjithashtu Këshilli vendosi caktimin e disa prej anëtarëve të tij në komisione apo grupe pune të ndryshme ku pjesëmarrja e përfaqësuesve të KLD është kërkesë ligjore.

18.01.2013