Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp 18.02.2013

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa, i shoqëruar nga anëtari i KLD-së Z. Artan Broci, mori pjesë në zhvillimin e analizave vjetore të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Lushnje dhe Berat.

Në këto analiza ku pasqyrohej puna një vjeçare e trupave gjyqësore përkatëse,ishin gjithashtu të pranishëm prokurorët e rretheve Lushnje dhe Berat, si dhe kryetarët e Dhomës së Avokatisë së këtyre rretheve. Gjatë analizës, Kryetarët e Gjykatave Lushnje dhe Berat raportuan përgjithësisht mbi ecurinë e punës në gjykata, mbi numrin e çështjeve civile dhe penale, volumin e punës për secilin gjyqtar, si dhe mbi problematikat administrative. Po ashtu gjatë analizës, Kryetarët e Gjykatave Lushnje dhe Berat informuan mbi cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimit të çështjeve.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, në dy takimet në fjalë vuri theksin tek cilësia dhe shpejtësia e dhënies së drejtësisë, si element thelbësor në rritjen e performancës së Gjykatave. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa vlerësoi punën e Gjykatave, si dhe shprehu mbështetjen e KLD për të gjithë trupën gjyqësore, me qëllim qënien konsekuent në dhënien e drejtësisë.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa gjatë analizës në këto dy Gjykata, përçoi mesazhin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani, si dhe të anëtarëve të Këshillit, se sistemi gjyqësor duhet me patjetër të jetë garantuese e shtetit të së drejtës, e zbatimit të parimeve bazë të procesit të rregullt ligjor, për të rritur besimin e publikut, nëpërmjet transparencës dhe profesionalizmit në dhënien e drejtësisë.
Gjithashtu, Zëvendëskryetari i KLD-së Z. Elvis Çefa kërkoi nga trupa gjyqësore transparencë maksimale ndaj qytetarëve në zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe dhënien e vendimeve.
Ai siguroi trupën gjyqësore që fryma e re e drejtimit të KLD-së, do të vlerësojë punën e çdo gjyqtari me korrektesë, duke evidentuar të gjithë gjyqtarët me aftësi të larta profesionale dhe integritet dhe mbi gjithcka duke i prerë rrugën pazareve të cfarëdo lloji në emërimin, transferimin dhe promovimin e gjyqtarëve. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Z. Elvis Çefa garantoi trupën gjyqësore se kriteri i vetëm i vlerësimit të gjyqtarëve dhe në transferimet e tyre, do të bazohet në parimin e meritokracisë.