Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp 12.02.2013

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, Ministri i Drejtësisë, Z. Eduard Halimi dhe Avokati i Popullit, Z. Igli Totozani nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi ndërinstitucional, qëllimi i të cilit është referimi i rasteve dhe marrja e masave administrative ndaj funksionarëve të drejtësisë, sipas kompetencës të secilës palë, kur konstatohen shkelje të ligjit. Në fjalën përshëndetëse Zëvendëskryetari i KLD-së, Z. Elvis Çefa vuri theksin tek nevoja për rritjen e besueshmërisë së publikut ndaj gjykatave dhe ndaj autoriteteve shtetërore të inspektimit të tyre. Më tej z. Çefa u shpreh se:

"Përmes këtij memorandumi, Ne shprehim vullnetin dhe angazhimin maksimal për të siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për forcimin efektiv të kuadrit ligjor dhe institucional të parandalimit dhe luftës ndaj çdo fenomeni negativ që shfaqet në sistemin gjyqësor, në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljes së etikës. Memorandumi synon të përmirësojë dhe zhvillojë të gjitha mekanizmat e domosdoshme për sinjalizimin, identifikimin, hetimin dhe ndëshkimin e të gjitha rasteve të shkeljeve të ligjit nga zbatuesit e tij nëpërmjet zhvillimit të inspektimeve dhe kthimin e tyre në mjete efikase të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit, sipas standardeve evropiane.

Strategjia e re e Këshillit të Lartë të Drejtësisë synon të jetë e qartë dhe eficente çka do të çojë në përmirësimin e dimensioneve aktuale të sistemit të drejtësisë, jo vetëm në drejtim të funksionimit të këtij sistemi, por edhe në drejtimin si qytetarët e perceptojnë funksionimin e tij". Zëvendëskryetari i KLD-së falenderoi gjithashtu angazhimin dinjitoz të ekspertëve të Misionit EURALIUS, ndihma e të cilëve nuk i ka munguar asnjëherë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Pas fjalës së tij Zëvendëskryetari i KLD-së Elvis Çefa iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. "Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfshirë edhe ai i Ministrisë së Drejtësisë, çdo individ apo çdo lloj institucioni tjetër në këtë vend, nuk ka absolutisht asnjë të drejtë ligjore të shprehet apo të gjykojë mbi përmbajtjen e një vendimi gjyqësor, pa kaluar kontrollin gjyqësor, ashtu sikundër Kushtetuta dhe ligjet organike parashikojnë. Është gjykata e shkallës më të lartë ajo që shprehet nëse një vendim i një gjykate më të ulët është ose jo i drejtë", tha në përgjigje të interesimit të mediave Zëvendëskryetari i KLD-së, Z. Elvis Çefa. 

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Z. Eduard Halimi theksoi gjatë fjalës së tij se "transparenca e sistemit të drejtësisë është një element thelbësor i një qeverisje të mirë dhe padyshim arma më e mirë për të luftuar devijimet e shumta që fshehtësia favorizon. Qytetarët e kanë më të lehtë reagimin e tyre ndaj sistemit të drejtësisë, nëse ky sistem është transparent, nëse shohin çdo ditë se çfarë ndodh në një seancë gjyqësore, dëgjojnë çdo germë që palët në një proces dhe gjykata shqipton nga dita e seancës së parë deri në dhënien e vendimit". Fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet mbajti edhe Avokati i Popullit, Z. Igli Totozani i cili u shpreh se çdo bashkëpunim institucional që ka në thelb interesin qytetar do ketë mbështetjen e plotë të institucionit që ai drejton.

 

Shenim: Nje kopje e Memorandumit mund te shkarkohet ne ne hapesiren e Kornizez Ligjore - Akte Nenligjore