Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp 21.09.2012

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, pas informimit në lidhje me incidentin e ndodhur në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Kryetarin e Dhomës së Avokatisë Elbasan, Z. Jani Vaso si dhe me Kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Z. Arben Vrioni.


Gjatë takimit u prezantuan shqetësimet e komunitetit të avokatëve për incidentin e ndodhur para pak ditëve në Gjykatën e Elbasanit, si dhe problematika të tjera lidhur me punën në këtë gjykatë.

Duke e konsideruar incidentin e ndodhur një ngjarje të izoluar, por aspak etike për vlerat që mbart sistemi i drejtësisë, Zëvendëskryetari siguroi se do t'i bëjë pjesë të diskutimeve në mbledhjet plenare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet e parashtruara nga Dhoma e Avokatisë Elbasan. Në këtë takim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zgjidhjes së problemeve në rrugë institucionale, pasi veprime të tilla, pengojnë funksionimin normal të veprimtarisë gjyqësore, duke krijuar një perceptim të gabuar të publikut, ndaj marrëdhënieve institucionale midis aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë rikonfirmoi gjithashtu predispozicionin e institucionit, për të marrë në konsideratë dhe analizuar me shumë seriozitet çdo shqetësim që lidhet me veprimtarinë gjyqësore jo vetëm në atë gjykatë, si dhe siguroi angazhimin maksimal të KLD për një sistem gjyqësor efikas dhe me integritet të lartë.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Dhomës së Avokatisë Elbasan siguroi Zëvendëskryetarin e KLD se avokatët do të ndërpresin bojkotin dhe do të vijojnë zhvillimin normal të seancave gjyqësore në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke filluar nga dita e hënë.

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË

Tiranë, 21.09.2012