Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Deklaratë për Shtyp 13.09.2012

Zevendeskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit institucional për shmangien e mbivendosjes së kompetencave në Inspektimin Gjyqësor. Ky memorandum synon që të përmirësojë procesin e monitorimit të sistemit gjyqësor.

Zevendeskryetari i KLD-se, Elvis Çefa, ne fjalen e tij theksoi se "Ky memorandum e ngre në një shkallë të re bashkëpunimin ndërmjet dy inspektorateve. KLD, synon të ndërtojë strategji të qarta që çojnë në përmirësimin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë. Me anë të memorandumit, dy Inspektoratet do të forcojnë bashkëpunimin midis tyre, duke koordinuar veprimtarinë e tyre."

Fjala e plote e Zevendeskryetarit te KLD:

 

I nderuar Ministër HALIMI!

 

I nderuar zoti URIAS!

 

Të nderuar pjesmarrës!

 

Zonja dhe zotërinj!

 

Eshtë kënaqësi e vecantë për mua që së bashku me Ministrin Halimi nënshkruajmë sot këtë Memorandum bashkëpunimi si shprehje e vullnetit të mirë dhe ngritjes në një shkallë të re të dialogut ndërinstitucional. Në këtë mënyrë ne përmbushim dhe një nga detyrimet që rrjedhin nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, atë të përmirësimit të bashkëpunimit dhe ndërtimit të partneriteteve të reja ndërmjet aktorëve të sistemit të drejtësisë. Më vjen mirë që angazhimi im i parë profesional, në cilësinë e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kulmon me nënshkrimin e këtij Memorandumi.

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përtej angazhimeve dhe objektivave në përmbushje të detyrave të tij ligjore, kurdoherë do të mirëpresë partneritetet e reja me aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm. Në procesin e rëndësishëm dhe shumëplanësh të integrimit në Bashkimin Europian, të gjithë kemi një rol për të luajtuar dhe përgjegjësi për të mbajtur. Në respektim të plotë të kompetencave që i jep Kushtetuta dhe Ligji, Këshilli i Lartë i Drejtësisë synon të ndërtojë strategji të qarta dhe eficente që çojnë në përmirësimin e dimensioneve aktuale të sistemit të drejtësisë, jo vetëm në drejtim të funksionimit të këtij sistemi, por edhe në drejtimin si qytetarët e perceptojnë funksionimin e tij.

 

Rritja e besueshmërisë së publikut ndaj gjykatave dhe ndaj autoriteteve shtetërore të inspektimit të tyre është për ne një qëllim eminent. Zgjidhja e problemeve fillon duke njohur vështirësitë dhe duke i pranuar ato, dhe ky memorandum është një fillim i mirë. Duke nëshkruar sot këtë Memorandum bashkëpunimi ne bëjmë një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të efektivitetit dhe transparencës së inspektimeve në sistemin gjyqësor, kurdoherë në respekt të parimit themelor të Kushtetutës : Ruajtjes dhe forcimit të pavarësisë dhe të paanësisë së sistemit gjyqësor.

 

Qëllimi i ne të gjithëve është të kontribuojmë në ngritjen dhe forcimin e një sistemi gjyqësor profesional, me integritet dhe vizionar. Më lejoni, që në emër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen e sinqertë për angazhimin dinjitoz të ekspertëve të Misionit EURALIUS, vullneti i mirë i të cilëve, vuri bazat për të forcuar bindjen se shkëmbimi i eksperiencave ndër-institucionale, i shërben arritjes së standardeve evropiane të shtetit të së drejtës. Më lejoni t'ju siguroj miq të nderuar, se tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë ju do gjeni gjithmonë një partner të besueshëm dhe serioz. Faleminderit!