Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

LIGJ Nr.9877, datë 18.2.2008, PËR ORGANIZIMIN E PUSHTETIT GJYQËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 81 pika 2 shkronja "a" dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj përcakton krijimin, organizimin dhe kompetencat e gjykatave, kushtet dhe procedurat për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve, masat disiplinore dhe shkarkimin e tyre, si dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e gjykatave.
Neni 2
Dita e Drejtësisë
Dita e Drejtësisë është 10 maji.
KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I GJYKATAVE
Neni 3
Pushteti gjyqësor
1. Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë.
2. Me ligj mund të krijohen gjykata në fusha të veçanta, por në asnjë rast gjykata të jashtëzakonshme.
Neni 4
Gjykatat e shkallës së parë
Gjykatat e shkallës së parë janë gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat e krimeve të rënda.
Neni 5
Gjykatat e apelit
Gjykatat e shkallës së dytë janë gjykatat e apelit dhe gjykatat e apelit të krimeve të rënda.
Neni 6
Organizimi dhe kompetencat e gjykatave
1. Gjykatat e rretheve gjyqësore organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
1261
2. Gjykatat për krimet e rënda organizohen dhe funksionojnë në një ose më shumë rrethe gjyqësore.
3. Kompetencat tokësore të gjykatave dhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohen me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
4. Kompetencat tokësore dhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për gjykatat e apelit caktohen me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 7
Gjykatat administrative
Organizimi dhe funksionimi i gjykatave administrative rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 8
Numri i gjyqtarëve
Numri i gjyqtarëve për çdo gjykatë të shkallës së parë dhe për çdo gjykatë të apelit caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 9
Ndarja e çështjeve gjyqësore
Ndarja e çështjeve gjyqësore bëhet me short, sipas procedurave të caktuara me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 10
Gjykata e Lartë
1. Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor, i cili ka juridiksion fillestar dhe rishikues.
2. Organizimi dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë përcaktohen me ligj të veçantë.
KREU III
KRITERET E REKRUTIMIT DHE TË KARRIERËS SË GJYQTARËVE
TË SHKALLËS SË PARË DHE TË APELIT
Neni 11
Kushtet për t'u emëruar gjyqtar
1. Gjyqtar mund të emërohet shtetasi shqiptar, që përmbush kriteret e mëposhtme:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të jetë me arsim të lartë juridik;
c) të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës;
ç) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) të ketë cilësi të larta morale dhe aftësi profesionale.
2. Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të emërojë deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve persona, të cilët kanë punuar më parë gjyqtarë dhe përmbushin kriteret e shkronjave "a", "b", "ç" dhe "d" të pikës 1 të këtij neni.
1262
Neni 12
Emërimi i gjyqtarit
1. Gjyqtari në gjykatën e shkallës së parë dhe në gjykatën e apelit emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
2. Gjyqtari i gjykatës për krimet e rënda emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në bazë të konkurrimit me jetëshkrime, pasi:
a) të ketë punuar jo më pak se 5 vjet në gjykatat e shkallës së parë;
b) të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
c) të jetë vlerësuar "Shumë mirë" për aftësi profesionale dy herët e fundit;
ç) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
3. Gjyqtari i gjykatës së apelit emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në bazë të konkurrimit me jetëshkrime, pasi:
a) të ketë punuar jo më pak se 7 vjet në gjykatat e shkallës së parë;
b) të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
c) të jetë vlerësuar "Shumë mirë" për aftësi profesionale dy herët e fundit;
ç) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
4. Ndërmjet gjyqtarëve që kandidojnë për në gjykatën e krimeve të rënda dhe për në gjykatat e apelit dhe që plotësojnë kushtet e pikave 2 dhe 3 të këtij neni, Këshilli i Lartë i Drejtësisë përzgjedh me pikëzim, sipas kritereve të vjetërsisë në profesion, të rezultateve të punës në vijimësi, në përputhje me renditjen në listën e përhershme, sipas nenit 14 të këtij ligji, si dhe të veprimtarisë shkencore e akademike. Rregulla më të hollësishme për pikëzimin përcaktohen me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5. Presidenti, brenda 30 ditëve, nxjerr dekret për emërimin në detyrën e gjyqtarit të kandidatit të propozuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Pas këtij afati, propozimi vlerësohet i rrëzuar.
Neni 13
Vlerësimi i aftësive profesionale të gjyqtarit
1. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të paktën një herë në tre vjet, bën vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarit, në përputhje me vendimin e miratuar prej tij për kriteret e vlerësimit.
2. Vlerësimi i aftësive profesionale është:
a) "Shumë mirë";
b) "Mirë";
c) "Pranueshëm";
ç) "I paaftë".
3. Vlerësimi "I paaftë" përbën shkak për fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit.
4. Në rastin kur gjyqtari është vlerësuar "Pranueshëm", Këshilli i Lartë i Drejtësisë, brenda një viti, bën rivlerësimin e tij.
Neni 14
Lista e përhershme e renditjes së gjyqtarëve
1. Për efekt të karrierës profesionale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mban një listë të përhershme të renditjes së gjyqtarëve për rezultatet e punës në vijimësi, e cila përditësohet çdo gjashtë muaj.
2. Renditja e gjyqtarëve në listën e përhershme bëhet sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 15
Betimi i gjyqtarëve
1. Para fillimit të detyrës, gjyqtarët bëjnë betimin si më poshtë:
1263
"Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale".
2. Betimi i gjyqtarëve të sapoemëruar bëhet me një ceremoni publike para Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 16
Kushtet dhe emërimi i kryetarit të gjykatës
1. Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit emërohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të konkurrimit.
2. Kandidatët për kryetar të gjykatës së shkallës së parë dhe për kryetar të gjykatës së apelit duhet të plotësojnë këto kritere:
a) të kenë punuar jo më pak se katër vjet si gjyqtarë në gjykatat e të njëjtit nivel ose të niveleve më të larta;
b) të jenë vlerësuar "Shumë mirë" nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dy herët e fundit;
c) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
ç) të kenë aftësi organizuese dhe menaxhuese;
d) të mos jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 17
Qëndrimi në detyrë, shkarkimi dhe mbarimi
i mandatit të kryetarit të gjykatës
l. Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit qëndrojnë në detyrë për katër vjet, me të drejtë riemërimi, sipas procedurave dhe kritereve të parashikuara në nenin 16 të këtij ligji.
2. Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit shkarkohen kur nuk përmbushin detyrat e nenit 18 të këtij ligji.
3. Mandati i kryetarit të gjykatës së shkallës së parë dhe i kryetarit të gjykatës së apelit mbaron para afatit:
a) kur jep dorëheqjen;
b) në rastet e parashikuara në nenin 20 të këtij ligji;
c) kur është në pamundësi fizike të ushtrimit të detyrës për më shumë se 3 muaj;
ç) kur zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
4. Shkarkimi i kryetarit të gjykatës së shkallës së parë dhe i kryetarit të gjykatës së apelit bëhet me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur kërkohet me shkrim nga jo më pak se 5 anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ose nga Ministri i Drejtësisë.
5. Mbarimi i mandatit të kryetarit të gjykatës deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas kërkesës së motivuar të çdo anëtari të këtij Këshilli.
Neni 18
Kompetencat e kryetarit të gjykatës
l. Një herë në çdo dy vjet kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit përcaktojnë shpërndarjen e gjyqtarëve në dhoma dhe seksione për vitet në vijim. Kjo ndarje nuk e pengon kryetarin e gjykatës që, gjatë vitit kalendarik, për nevoja pune, të komandojë gjyqtarë për të gjykuar në një seksion tjetër.
2. Kryetari i gjykatës ku ndodhet qendra e veprimtarisë së rrethit gjyqësor, që ka në kompetencë tokësore dy ose më shumë qendra të ushtrimit të veprimtarisë gjyqësore, cakton me short gjyqtarët që do të gjykojnë në to, sipas një grafiku të veçantë, në varësi të numrit dhe karakterit të çështjeve.
3. Kryetari i gjykatës së shkallës së parë dhe kryetari i gjykatës së apelit, përveç sa më sipër, kryejnë edhe këto detyra:
1264
a) përfaqësojnë gjykatën në marrëdhëniet me të tretët;
b) bëjnë ndarjen e gjyqtarëve në trupa gjykues;
c) në fillim të çdo muaji, bëjnë planifikimin e gjyqtarëve për gjykimet me objekt vlerësim i arrestit në flagrancë apo ndalimit, caktimin e masave të sigurimit dhe çdo kërkesë tjetër gjatë fazës së hetimit, sipas rendit alfabetik, me bazë mbiemrin;
ç) organizojnë diskutime për çështje të natyrës juridike, bazuar në përgjithësimin e përvojës së gjykimit, vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e gjykatave të tjera, vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aktet e kontrollit dhe inspektimit të ushtruara nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë;
d) mbikëqyrin respektimin e etikës gjyqësore dhe të solemnitetit, si dhe planifikimin e çështjeve gjyqësore për qëllime të vlerësimit profesional;
dh) marrin kontakt me ekipet e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë apo të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njihen me qëllimin dhe objektin e kontrollit dhe u krijojnë atyre mundësi në ushtrimin e detyrës;
e) mbikëqyrin disiplinën në punë të gjyqtarëve;
ë) bashkërendojnë punën me Shkollën e Magjistraturës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për çështje të ngritjes profesionale të gjyqtarëve;
f) kujdesen për çështjet e ruajtjes dhe sigurisë në gjykatë;
g) kryejnë detyra të tjera në funksion të drejtimit administrativ të gjykatës, të parashikuara në aktet ligjore ose nënligjore në fuqi.
4. Në mungesë të kryetarit, detyrat e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni kryhen nga një gjyqtar i autorizuar prej tij.
Neni 19
Regjistri i gjyqtarëve
Pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë krijohet regjistri i gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit, i cili përmban të paktën:
a) gjenealitetet e çdo gjyqtari;
b) të dhënat e edukimit të tij akademik;
c) datën e emërimit;
ç) pjesëmarrjen në kualifikime dhe trajnime;
d) vendime disiplinore, nëse ka;
dh) vlerësimin e tij si gjyqtar;
e) të dhëna për karrierën gjyqësore.
KREU IV
STATUSI I GJYQTARIT
Neni 20
Palëvizshmëria e gjyqtarit
Gjyqtari nuk mund të lëvizë nga detyra, përveç rasteve kur:
a) jep dorëheqjen;
b) mbush moshën 65 vjeç, të daljes në pension;
c) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
ç) shkarkohet nga detyra.
Neni 21
Transferimi dhe delegimi i gjyqtarëve
1. Transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përveçse kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqësor.
2. Në rastet kur një gjykatë nuk ka mundësi të shqyrtojë një ose disa çështje brenda afateve të arsyeshme kohore, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me kërkesën e motivuar të kryetarit të gjykatës
1265
përkatëse, mund të delegojë gjyqtarë nga gjykata të tjera.
Delegimi i gjyqtarëve bëhet vetëm për çështje të caktuara.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për kriteret dhe mënyrën e delegimit të gjyqtarëve, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, ngarkesën individuale të gjyqtarëve dhe përkatësinë e tyre në seksione.
Neni 22
Papajtueshmëritë me detyrën e gjyqtarit
Gjyqtari nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore, private ose politike.
Neni 23
Kufizime për shkak të detyrës
1. Gjyqtarit i ndalohet edhe:
a) të bëjë pjesë në parti politike, ose të marrë pjesë në veprimtari me karakter politik;
b) të marrë pjesë në administrimin apo drejtimin e shoqërive tregtare, personalisht ose me anë përfaqësimi;
c) të jetë ekspert ose arbitër në arbitrazh;
ç) të bëjë deklarata në publik në lidhje me proceset;
d) të bëjë të ditur mendimet që janë dhënë gjatë seancave të gjykimit, që akoma nuk kanë marrë formën e një vendimi;
dh) të bëjë deklarata në publik për çdo gjë tjetër që cenon paanshmërinë në proces;
e) të bëjë grevë.
2. Gjyqtari duhet të ruajë dinjitetin e tij, duke mos lejuar veprime që komprometojnë profesionin, organet e drejtësisë dhe figurën e tij në shoqëri.
Neni 24
Të drejta dhe përfitime për shkak të detyrës
1. Gjyqtari ka të drejtë të ketë mbrojtje të veçantë nga shteti për vete, familjen dhe pronën, kur një gjë të tillë e kërkon ai vetë, për rrethana serioze, që i kërcënojnë jetën, familjen dhe pronën, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Gjyqtari përfiton leje të pagueshme vjetore prej 30 ditësh kalendarike. Leja vjetore bëhet në muajin gusht. Gjyqtari i ngarkuar me kryerjen e detyrave të ngutshme në muajin gusht, lejen vjetore e bën në një periudhë tjetër, duke përfituar pesë ditë shtesë.
3. Gjyqtari që kryen detyra të ngutshme në ditët e pushimit javor ose të festave zyrtare, përfiton shtesë page në masën 50 për qind të pagës së tij ditore.
4. Gjyqtarët mund të krijojnë shoqata ose organizata për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre, si dhe për ngritjen profesionale.
Neni 25
Solemniteti i gjykimit
1. Gjyqtari, gjatë gjykimit të çështjes, duhet të respektojë solemnitetin e gjykimit dhe të mbajë veshje të posaçme.
2. Rregullat në lidhje me solemnitetin e gjykimit dhe veshjen përcaktohen me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 26
Paga e gjyqtarit dhe e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë
l. Paga bazë e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të
1266
këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit.
2. Paga bazë e gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind.
3. Paga bazë e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit. Mbi këtë pagë jepet një shtesë për drejtim në masën 10 për qind.
4. Paga bazë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe e kryetarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 5 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind dhe për drejtimin e gjykatës shtohet 10 për qind.
Neni 27
Paga e gjyqtarit dhe e kryetarit të gjykatës së apelit
l. Paga bazë e gjyqtarit të gjykatës së apelit është e barabartë me 70 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit.
2. Paga e bazë e gjyqtarit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda është e barabartë me 70 për qind të pagës të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind.
3. Paga bazë e kryetarit të gjykatës së apelit është e barabartë me 70 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit. Mbi këtë pagë jepet një shtesë për drejtim në masën 10 për qind.
4. Paga bazë e Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe e kryetarit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda është e barabartë me 70 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Pas 15 vjet vjetërsie në shërbim, siç parashikohet në nenin 28 të këtij ligji, për çdo vit vjetërsi, kjo pagë, deri në 25 vjet shërbim, shtohet me 2 për qind në vit. Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind dhe për drejtimin e gjykatës shtohet 10 për qind, por jo më shumë se paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Neni 28
Ruajtja e statusit të gjyqtarëve që shërbejnë në institucione të tjera
1. Gjyqtarët, me kërkesën e institucioneve e pëlqimin e tyre, si dhe me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mund të shërbejnë për një afat deri në 3 vjet në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë, të administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndihmës ligjor ose këshilltar i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të gjykatës së apelit, prokuror, pedagog ose drejtor në Shkollën e Magjistraturës. Në përfundim të këtij afati, gjyqtarët kthehen në vendin e mëparshëm të punës.
2. Trajtimi financiar i gjyqtarëve gjatë kësaj periudhe bëhet nga institucionet përkatëse, duke i dhënë pagën më të lartë ndërmjet dy pagave.
3. Periudha e shërbimit njihet si periudhë vjetërsie në profesion si gjyqtar, për efekt të pagës dhe të karrierës profesionale.
4. Periudha e shërbimit njihet si periudhë vjetërsie në profesion edhe për ata gjyqtarë, të cilët kanë shërbyer në institucionet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 29
Përgjegjësia penale e gjyqtarit
1267
1. Gjyqtari i gjykatës së shkallës së parë ose gjyqtari i gjykatës së apelit mund të ndiqet penalisht, sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Autorizimi për fillimin e procedimit penal bëhet me miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
2. Gjyqtari mund të ndalohet ose arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
3. Në rastin kur ndaj një gjyqtari jepet autorizimi për fillimin e procedimit penal, ai pezullohet nga detyra derisa të merret vendim gjyqësor i formës së prerë.
4. Në rastet kur fajësia nuk provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë të gjykatës, gjyqtari ka të drejtë të kthehet në punën e tij të mëparshme dhe të marrë pagën e plotë që nga koha e pezullimit.
Neni 30
Kufizimi i përgjegjësisë civile të gjyqtarit
Gjyqtari nuk përgjigjet në një padi civile, e cila lidhet me kryerjen e detyrave të tij profesionale, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
KREU V
PËRGJEGJËSIA PËR SHKELJET DISIPLINORE, MASAT DISIPLINORE DHE PROCEDIMI DISIPLINOR I GJYQTARIT
Neni 31
Përgjegjësia disiplinore
1. Gjyqtari i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore në rastet dhe me garancitë e parashikuara në ligj.
2. Gjyqtari ka përgjegjësi disiplinore për shkelje të ligjit dhe për kryerjen e akteve e të sjelljeve që diskreditojnë pozitën dhe figurën e tij, në përputhje me parashikimet e nenit 32 të këtij ligji.
Neni 32
Shkeljet disiplinore
1. Shkeljet e disiplinës së gjyqtarit ndahen në:
a) shumë të rënda;
b) të rënda;
c) të lehta.
2. Janë shkelje shumë të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë:
a) aktet dhe sjelljet e ndaluara nga neni 23 i këtij ligji;
b) braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për 7 ditë ose më shumë, kur mungesa ka passjellë pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë;
c) shkelja e pajustifikuar dhe e përsëritur e dispozitave urdhëruese procedurale, kur këto shkelje kanë passjellë ose mund të sillnin pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë;
ç) refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive;
1268
d) përfitimi në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale, të cilat i jepen për shkak të detyrës;
dh) mosbërja e kërkesës për heqje dorë nga gjykimi, kur kjo është e detyrueshme, sipas Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Procedurës Civile;
e) mungesa absolute e arsyetimit në vendimin gjyqësor;
ë) refuzimi i zbatimit të masës disiplinore;
f) moszbatimi i vendimit unifikues, si dhe i vendimeve të tjera të Gjykatës së Lartë, kur, sipas kodeve të procedurave, këto vendime janë të detyrueshme;
g) kryerja e një shkeljeje të rëndë, kur gjykatësi ka qenë më parë i dënuar për një shkelje tjetër të rëndë, e cila nuk është parashkruar ose shuar;
gj) akte dhe sjellje të tjera të rënda që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.
3. Janë shkelje të rënda aktet dhe sjelljet që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë:
a) zvarritja e pajustifikuar dhe e përsëritur e veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit, kur zvarritja ka passjellë ose mund të sillte pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë;
b) vonesa e përsëritur për fillimin e seancës gjyqësore;
c) braktisja e punës ose mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për 3 ditë apo më shumë, kur mungesa ka passjellë ose mund të sillte pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë;
ç) ndërhyrja ose çdo lloj ndikimi tjetër në ushtrimin e detyrës të një gjyqtari tjetër;
d) mosrespektimi i rregullave të solemnitetit, sipas nenit 25 të këtij ligji;
dh) shkelja e normave të etikës në marrëdhëniet me pjesëmarrësit në proces, kolegët, kryetarin e gjykatës, stafin e administratës gjyqësore, ekspertët, prokurorët, avokatët;
e) përdorimi i shprehjeve të pahijshme e ofenduese në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor. Në këto raste Këshilli i Lartë i Drejtësisë vihet në lëvizje përmes një ankese të palëve në proces;
ë) bërja publike e akteve ose dokumenteve zyrtare, të dhënave apo regjistrimeve me karakter sekret ose konfidencial;
f) pengimi i funksioneve të inspektorateve në veprimtarinë e tyre të ligjshme;
g) kryerja e një shkeljeje të lehtë, kur gjyqtari ka qenë më parë i dënuar me vërejtje me paralajmërim për një shkelje tjetër të lehtë, e cila nuk është parashkruar ose shuar;
gj) akte dhe sjellje të tjera të rënda që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.
4. Janë shkelje të lehta aktet dhe sjelljet që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si më poshtë:
a) vonesa në fillimin e seancës gjyqësore;
b) mungesa e pajustifikuar në punë deri në 3 ditë;
c) shoqërimi me palët pjesëmarrëse gjatë periudhës së gjykimit;
ç) akte dhe sjellje të tjera që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.
Neni 33
Masat disiplinore
1. Masat disiplinore jepen në raport të drejtë me shkeljen e kryer.
2. Masat disiplinore janë:
a) vërejtje;
b) vërejtje me paralajmërim;
c) ulje e përkohshme për 1 deri në 2 vjet në detyrë në një gjykatë të një niveli më të ulët;
ç) dërgimi për 1 deri në 2 vjet në një gjykatë të të njëjtit nivel jashtë rrethit gjyqësor ku gjyqtari ka emërimin e tij;
d) shkarkim nga detyra.
3. Për shkeljet shumë të rënda, të parashikuara në nenin 32 pika 2 të këtij ligji, jepet masa disiplinore e parashikuar në shkronjën "d" të pikës 2 të këtij neni.
4. Për shkeljet e rënda, të parashikuara në nenin 32 pika 3 të këtij ligji, jepet masa disiplinore e parashikuar në shkronjat "c" dhe "ç" të pikës 2 të këtij neni.
1269
5. Për shkeljet e lehta, të parashikuara në nenin 32 pika 4 të këtij ligji, jepet masa disiplinore e parashikuar në shkronjat "a" dhe "b" të pikës 2 të këtij neni.
6. Për efekt të procedimit disiplinor, masat disiplinore të rënda shlyhen brenda 3 vjetëve nga data e dhënies së tyre, në qoftë se nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore, ndërsa masat disiplinore të lehta shlyhen brenda 2 vjetëve nga data e dhënies së tyre, në qoftë se nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore.
Neni 34
Procedimi disiplinor i gjyqtarit
1. Të drejtën për nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e ka Ministri i Drejtësisë.
2. Fillimi i procedimit disiplinor mund të bëhet jo më vonë se 1 vit nga data e konstatimit të shkeljes nga organi që ka të drejtën për fillimin e këtij procedimi, por jo më vonë se 5 vjet nga data e kryerjes së shkeljes.
Neni 35
Të drejtat e gjyqtarit në procedimin disiplinor
1. Gjyqtari, ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor, ka të drejtë:
a) të informohet në mënyrë të qartë dhe të detajuar për faktet e akuzuara, shkeljet dhe sanksionet që mund të vendosen, si edhe për inspektorin që i caktohet;
b) të formulojë pretendime dhe kërkesa;
c) të njihet me dokumentet e procedimit disiplinor dhe të depozitojë prova të mjaftueshme;
ç) të ketë asistencën e një avokati ose kolegu gjatë procedimit dhe të dëgjohet në prani të tij.
2. Ndaj gjyqtarit nuk mund të zbatohen rregulla të reja dhe më rënduese në një procedim që ka nisur më parë.
3. Gjyqtari nuk mund të procedohet për të njëjtat akte dhe sjellje, për të cilat është gjykuar në një proces disiplinor të mëparshëm.
Neni 36
Ankimi ndaj masave disiplinore
1. Ndaj vendimit të shkarkimit nga detyra, gjyqtari ka të drejtë të ankohet, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, në Gjykatën e Lartë, e cila vendos me kolegje të bashkuara.
2. Për masat e tjera disiplinore, ankimi bëhet në Gjykatën e Apelit, Tiranë.
KREU VI
ADMINISTRIMI I SHËRBIMEVE NË GJYKATË
Neni 37
Kancelari i gjykatës
1. Kancelari i gjykatës drejton dhe përgjigjet për shërbimet ndihmëse në gjykatë.
2. Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë.
3. Kancelar emërohet juristi, i cili ka përvojë pune jo më pak se pesë vjet në këtë profesion.
4. Kancelari përfiton pagë dhe leje të pagueshme vjetore të njëjtë me atë të gjyqtarit të gjykatës përkatëse ku ushtron funksionet.
Neni 38
Kompetencat e kancelarit
1270
Kancelari i gjykatës ka këto kompetenca kryesore:
a) emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës;
b) mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar;
c) ndjek ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore, në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligj;
ç) shpall listën e ekspertëve të licencuar, sipas fushave përkatëse;
d) mbikëqyr disiplinën në punë të punonjësve të administratës gjyqësore;
dh) siguron mjedis të veçantë brenda gjykatës për studimin e dosjeve gjyqësore nga avokatët, prokurorët, ekspertët, përfaqësuesit e palëve ose personat që e kanë këtë të drejtë;
e) miraton orarin e shërbimeve që përmbushen nga strukturat e administratës gjyqësore dhe përcakton orarin e pritjes së popullit.
Neni 39
Administrata gjyqësore
Shërbimet ndihmëse në gjykatë kryhen nga sekretaria gjyqësore, degët dhe sektorët e administratës, të ekonomisë, financës, informatizimit, regjistrimit dhe ruajtjes së dokumenteve.
Neni 40
Buxheti i pushtetit gjyqësor
1. Pushteti gjyqësor ka buxhet të veçantë, i cili administrohet prej tij, sipas kritereve të përcaktuara me ligj të veçantë.
2. Fondet ose donacionet që mund t'u jepen gjykatave, kalojnë nëpërmjet zyrës që administron buxhetin e gjyqësorit.
Neni 41
Rendi dhe siguria në gjykatë
1. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, pranë gjykatave organizohet shërbim i vijueshëm i Policisë së Shtetit, i cili vepron sipas urdhrave të kryetarit të gjykatës.
2. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret dhe procedurat për garantimin e rregullit dhe të sigurisë në gjykata.
KREU VII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 42
Riorganizimi gjyqësor
1. Pavarësisht nga pika 1 e nenit 21 të këtij ligji, kur një gjykatë mbyllet ose numri i gjyqtarëve zvogëlohet, për shkak të riorganizimit gjyqësor, gjyqtari mund të transferohet në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel ose më të ulët. Në këtë rast gjyqtari mund të transferohet edhe në institucionet e parashikuara në nenin 28 pika 1 të këtij ligji, duke përfituar pagën e gjyqtarit.
2. Në rast se transferimi, sipas pikës 1 të këtij neni, është i pamundur, gjyqtari futet në një listë të veçantë dhe ka përparësi emërimi në vendin më të parë vakant që krijohet. Deri në periudhën e emërimit ai merr 100 për qind të pagës.
3. Në rast se transferimi, sipas pikës 1 të këtij neni, refuzohet apo gjyqtari i përfshirë në listën e veçantë, sipas pikës 2 të këtij neni, ushtron veprimtari, e cila është e papajtueshme me statusin e gjyqtarit, atëherë gjyqtari shkarkohet nga detyra.
1271
Neni 43
Dispozitë kalimtare
1. Çështjet, të cilat, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, shqyrtohen nga seksionet penale ushtarake ose gjykata e apelit ushtarak, do të përfundojnë po nga këto seksione apo gjykata.
2. Deri në kryerjen e dy vlerësimeve për aftësitë profesionale, sipas nenit 13 të këtij ligji, gjyqtari i gjykatës së shkallës së parë, që konkurron për gjyqtar në gjykatën e apelit ose në gjykatat për krimet e rënda, i nënshtrohet një vlerësimi me procedurë të përshpejtuar.
3. Mandati i kryetarëve të gjykatave, që janë në detyrë në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë shërbyer në detyrë më shumë se 4 vjet, quhet i përfunduar me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
4. Kryetarët e gjykatave, që janë në detyrë në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë shërbyer si të tillë për më pak se 4 vjet, vijojnë të shërbejnë deri në plotësimin e këtij afati.
5. Nenet 26 dhe 27 të këtij ligji i fillojnë efektet financiare më 1 janar 2009. Këto dispozita mbi pagat nuk cenojnë pagën aktuale që përfiton gjyqtari në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
6. Statusi, organizimi dhe funksionimi i administratës gjyqësore do të jenë pjesë përbërëse e këtij ligji.
Neni 44
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 24 pika 1 dhe nenit 41 pika 2 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë që, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet normative në zbatim të neneve 9, 12 pika 4, 13 pika 1, 14 pika 2, 21 pika 2 dhe 25 pika 2 të këtij ligji.
Neni 45
Shfuqizime
Ligji nr.8436, datë 28.12.1998 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, si dhe çdo dispozitë tjetër ligjore, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 46
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5647, datë 28.2.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi
Botuar ne Fletoren Zyrtare nr. 27.
1272