Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

LIGJ Nr.9110, datë 24.7.2003, PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATAVE PËR KRIME TË RËNDA

Në mbështetje të neneve 81 pika 1 e pika 2 shkronja "a", 83 pika 1, si dhe 135 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:


Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krimet e rënda, me synim rritjen e efektivitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe përmirësimin e cilësisë së gjykimit të tyre.
Neni 2
Organizimi i gjykatave për krimet e rënda
1. Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave për krime të rënda dhe gjykatave të apelit për krime të rënda zbatohen dispozitat ligjore lidhur me organizimin e pushtetit gjyqësor dhe ato për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Gjykatat për krime të rënda dhe gjykatat e apelit për krime të rënda janë hallka të sistemit gjyqësor, që shqyrtojnë në shkallë të parë dhe të dytë krimet me rrezikshmëri të lartë, të caktuara me ligj.
3. Numri i gjykatave për krime të rënda, i gjykatave të apelit për krime të rënda, i gjyqtarëve të tyre, si dhe kompetenca tokësore e tyre caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 3
Përbërja
1. Gjykata për krime të rënda përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe gjyqtarët, të emëruar për një periudhë 9-vjeçare.
2. Kandidaturat për vendet vakante në gjykatat për krime të rënda dhe në gjykatat e apelit për krime të rënda, shqyrtohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe vendimi për t'i propozuar Presidentit të Republikës emërimin e tyre, merret me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këtij Këshilli.
3. Me kërkesën e tyre dhe propozimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda, mund të riemërohen në këtë detyrë.
4. Pavarësisht nga mbarimi i mandatit 9-vjeçar, gjyqtarët e gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda, qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tyre.
5. Në mbarim të mandatit, me kërkesën e tyre gjyqtarët e gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda kanë të drejtë të emërohen:
a) në funksionin gjyqësor të mëparshëm;
b) në vendet vakante të gjykatave të tjera të sistemit gjyqësor, duke gëzuar përparësi ndaj kandidatëve të tjerë.
6. Gjyqtarët e gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda, vazhdojnë të përfitojnë pagën dhe përfitimet e tjera edhe pas përfundimit të afatit 9-vjeçar të mandatit të tyre në këto gjykata, kur vazhdojnë të kryejnë detyra në sistemin gjyqësor.
7. Pagën dhe përfitimet e tjera, sipas pikës 6 të këtij neni, e gëzojnë edhe gjyqtarët që, për motive të arsyeshme, largohen nga detyra përpara afatit 9-vjeçar, me kusht që largimi të mos jetë
rezultat i procedimit disiplinor ndaj tyre. Në çdo rast, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas rrethanave konkrete, mund të vendosë disa kushte apo kufizime në gëzimin e mëtejshëm të pagës dhe përfitimeve të tjera, përkatësisht, të gjyqtarit të gjykatës për krime të rënda ose të gjykatës së apelit për krime të rënda.
Neni 4
Kriteret e emërimit të gjyqtarëve
1. Emërimi i gjyqtarëve të gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda bëhet sipas kushteve të caktuara në nenin 24 të ligjit nr.8436, datë 28.12.1998 "P ër organizimin e pushtetit gjyqësor".
2. Nuk mund të konkurrojnë për vendet vakante të gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda, personat që janë larguar nga detyra e gjyqtarit me masë disiplinore.
3. Gjyqtarët ndaj të cilëve janë dhënë masa të tjera disiplinore nga ajo e treguar në pikën 2 të këtij neni, mund të konkurrojnë vetëm pasi të kenë kaluar dy vjet nga data e shlyerjes së tyre.
Neni 5
Kompetencat e gjykatave për krime të rënda
1. Gjykata për krime të rënda dhe gjykata e apelit për krime të rënda gjykojnë në shkallë të parë dhe në shkallë të dytë veprat penale të parashikuara nga neni 75 shkronja "a" të Kodit të Procedurës Penale.
2. Kur gjatë gjykimit ndryshohet cilësimi ligjor i veprës penale dhe për këtë shkak kompetente është një gjykatë tjetër, gjykimi vazhdon dhe përfundohet nga gjykata e krimeve të rënda, duke zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
3. Gjykata për krime të rënda dhe gjykata e apelit për krime të rënda shqyrtojnë kërkesat dhe ankesat e palëve, të bëra gjatë hetimeve paraprake për çështjet në kompetencë të tyre. Caktimi dhe vlerësimi i masës së sigurimit për rastet e arrestimit në flagrancë dhe ndalimit të të dyshuarit për një krim, mund të bëhen nga gjyqtari i gjykatës së rrethit gjyqësor ku ka ndodhur vepra penale ose ku është kryer ndalimi.
Neni 6
Përbërja e trupit gjykues
1. Gjykata për krime të rënda dhe gjykata e apelit për krime të rënda gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë.
2. Kur për shkaqe objektive ose pengesë ligjore nuk mund të formohet trupi gjykues, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, mbi kërkesën e kryetarit të gjykatës, cakton për të plotësuar trupin gjykues gjyqtarë të gjykatave të tjera për krime të rënda, të gjykatave të apelit për krime të rënda, si dhe gjyqtarë të gjykatave të tjera, me kusht që të plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 4 pika 1 të këtij ligji.
Neni 7
Rregulla të veçanta procedurale
1. Gjykatat për krime të rënda dhe gjykatat e apelit për krime të rënda zbatojnë rregullat e caktuara në Kodin e Procedurës Penale, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe në ligj.
2. Përveç rasteve të parashikuara në nenin 340 të Kodit të Procedurës Penale, gjykimi i çështjeve nga gjykatat për krime të rënda dhe gjykatat e apelit për krime të rënda bëhet me dyer të mbyllura edhe kur një gjë e tillë çmohet e domosdoshme për çështjen që gjykohet ose për procedime të tjera, në interes të sigurimit kombëtar, rendit publik, të drejtësisë dhe të mbrojtjes së pjesëmarrësve në proces.
3. Në raste të veçanta, kryesisht ose mbi kërkesën e palëve, gjykata mund të vendosë zhvillimin e seancave në mjedise të tjera që ndodhen jashtë atyre të veprimtarisë normale të saj.
4. Në raste të veçanta, me kërkesë të motivuar të Prokurorit të Përgjithshëm, çështja mund të transferohet në një gjykatë tjetër për krime të rënda, me vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Neni 8
Pyetja e dëshmitarëve
Gjykata për krime të rënda dhe gjykata e apelit për krime të rënda mund të lejojnë që pyetja e dëshmitarit, si dhe ballafaqimet dhe leximet e lejueshme të bëhen duke zbatuar, bashkërisht ose veçmas, rregullat vijuese:
a) në praninë e të pandehurit dhe mbrojtësit, por pa kontakt vizual;
b) pa i komunikuar të pandehurit dhe mbrojtësit identitetin e dëshmitarit;
c) në raste dhe mënyra të tjera të caktuara, sipas legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Neni 9
Të drejtat dhe garancitë e gjyqtarëve
Përveç të drejtave dhe garancive të njohura me ligjin nr.8436, datë 28.12.1998 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", gjyqtarët e gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda gëzojnë edhe këto të drejta e garanci:
a) pagë të veçantë, sipas lidhjes nr.1 bashkëlidhur këtij ligji;
b) shpërblim të posaçëm mbi pagë të barabartë me një pagë mujore për periudhën e lejes;
c) mbrojtje të veçantë personale, familjare dhe pasurore, si dhe ruajtje e afërt fizike, në mënyrën e parashikuar në aktet ligjore dhe nënligjore.
Neni 10
Akte nënligjore
Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave, pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme lidhur me sigurimin e ruajtjen e posaçme të mjediseve të punës, ruajtjen e afërt fizike, mbrojtjen familjare dhe pasurore, si dhe të masave të tjera që lidhen me mbrojtjen e posaçme të gjykatave për krime të rënda, të gjykatave të apelit për krime të rënda, si dhe të gjyqtarëve të tyre.
Neni 11
Dispozita të fundit
1. Gjykatat për krime të rënda dhe gjykatat e apelit për krime të rënda fillojnë funksionimin e tyre në datën 1 janar 2004.
2. Çështjet penale, që do të jenë në gjykim në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit deri në ditën e fillimit të funksionimit të gjykatave për krime të rënda, do të përfundohen nga këto gjykata.
3. Gjykatat për krime të rënda dhe gjykatat e apelit për krime të rënda sistemohen përkohësisht në mjedise të veçanta të gjykatave të vendit ku kanë qendrën, të cilat sigurohen në mënyrë të veçantë.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Këshilli i Ministrave dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas kompetencës së tyre, marrin masat për përmbushjen e detyrimeve përkatëse të parashikuara në ligj lidhur me fillimin në afatin e caktuar të veprimtarisë së gjykatave për krime të rënda dhe të gjykatave të apelit për krime të rënda.
Neni 12
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekret nr.3936, datë 19.8.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Alfred Moisiu
LIDHJA NR.1
1. Sistemi i pagave për gjykatat për krimet e rënda:
a) kryetari i gjykatës - 70% e pagës mujore të anëtarit të Gjykatës së Lartë;
b) zëvendëskryetari i gjykatës - 65% të pagës mujore të anëtarit të Gjykatës së Lartë;
c) gjyqtar - 60% të pagës mujore të anëtarit të Gjykatës së Lartë.
2. Sistemi i pagave për gjykatat e apelit për krimet e rënda:
a) kryetari i gjykatës - 90% të pagës mujore të anëtarit të Gjykatës së Lartë;
b) zëvendëskryetari i gjykatës - 80% të pagës mujore të anëtarit të Gjykatës së Lartë;
c) gjyqtar i apelit për krimet e rënda - 75% të pagës mujore të anëtarit të Gjykatës së Lartë.