Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Drejtësi në kohë sfidash

Sot, në datën 09.05.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor organizoi në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe me mbështetjen e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë, konferencën “Drejtësi në kohë sfidash”.

E pranishme në konferencë ishte SH.S.Znj.Yuri Kim, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara, e cila u fokusua në fjalën e saj te reforma në drejtësi, duke e cilësuar atë të suksesshme.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Drejtësisë Z. Ulsi Manja, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri Z. Hubert Perr, presidenti i CEPEJ Z. Ramin Garagurbanli, zëvëndëskryetari i Gjykatës së Lartë Z. Sokol Sadushi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Z. Artur Metani, rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha, drejtori i Shkollës së Magjistraturës Z. Arben Rakipi,  gjyqtari i medias Z. Florjan Kalaja, përfaqësues nga sistemi gjyqësor shqiptar, nga organet e rivlerësimit kalimtar, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike, si dhe media.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni:

Fjala e përshëndetjes së mbajtur nga Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami gjatë konferencës së zhvilluar në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

E nderuar Znj. Kim, Ambasadore e SHBA

I nderuar Z. Manja, Ministër i Drejtësisë

I nderuar Z. Hubert PERR, Përfaqësues i  Delegacionit të BE-së

I nderuar Z. Ramin GARAGURBANLI, President i CEPEJ

Të nderuar përfaqësues të Kuvendit, drejtues të institucioneve të drejtësisë, të ftuar, kolegë, miq;

Sot në ditën e Evropës dhe në vigjilje të ditës së drejtësisë, kam kënaqësinë t’ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë konferencë në të cilën duam së bashku të reflektojmë për sfidat tona. Ato që po përballojmë së bashku dhe ato që kemi përpara!

Sfida të cilat kur i morëm përsipër bëmë edhe një pakt kombëtar për t’i qendruar deri në fund!

Së bashku jo vetëm për të ndërtuar institucionet e reja dhe për tu shkarkuar atyre këtë peshë dhe përgjegjësi të zbatimit të reformës në drejtësi!

Por së bashku për t’i ndihmuar ato të rriten dhe të pavarësohen!

Së bashku edhe në shëndetësimin e gjithë sistemit tonë!

Së bashku për të fituar mendjet dhe zemrat e qytetarëve!

Së bashku në realizimin e një ëndrre evropiane e cila nuk mund të behet realitet pa një drejtësi të pavarur, efektive dhe shërbyese si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj interesave të vendit!

Prandaj mesazhi im i parë për sot është një thirrje për të kontribuar në pavarësinë e sistemit të drejtësisë po aq sa edhe për të qenë së bashku në përballimin e të gjitha sfidave!

Sfida e pavarësisë është sfida kryesore e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Një sfidë e balancave dhe ndarjes së pushteteve! Një sfidë për të cilën nuk mjaftojnë 110 vjet shtet! Nuk mjaftojnë as 30 vjet shkëputje nga një e kaluar e cila e shihte drejtësinë si një zgjatim i politikës!

Në fakt drejtësia ka qenë i vetmi sektor i shoqërisë tonë në këto 30 vjet i cili pranoi t’i nënshtrohej një transformimi tërësor, një proces ky i nevojëshëm dhe i shumëkërkuar si nga qytetari ashtu edhe nga të gjithë miqtë e partnerët tanë strategjikë!

Ky transformim duhet të jetë një model për të gjithë sektorët e shoqërisë shqipare, për tu shkëputur nga e kaluara dhe për ndërtuar një shoqëri më të mirë për të gjithë dhe në emër të së ardhmes.

Prandaj pavarësia është një parim i cili shoqërohet nga përgjegjshmëria! Prandaj përgjegjësinë ndaj pritshmërive tona të përbashkëta duhet ta kërkojmë së pari mes nesh! Që pavarësia dhe përgjegjshëmëria të jenë një realitet ne të gjithë duhet t’i bëjmë ato pjesë të sistemit të vlerave të shoqërisë sonë!

Kjo është një çështje edukimi po aq sa edhe një çështje perceptimi dhe imazhi! Të dyja kanë të bëjnë me atë që quhet impakt! Do të thotë që ndikimi i këtij transformimi të drejtësisë sonë të jetë jo vetëm i dukshëm por edhe i qëndrueshëm! Që ky ndikim jo vetëm të perceptohet si pozitiv nga të gjithë aktorët dhe faktorët por edhe të jetë edhe i besueshëm dhe bindës!

Këto duhet të shkojnë bashkë! Ashtu siç duhet të kontribuojmë së bashku që drejtësia e re të ketë profesionalizëm, integritet, ndarje nga të gjitha ndikimet, standarde të shërbimit por edhe të llogaridhënies! Duhet të kontribuojmë që ky realitet të jetë edhe pjesë e komunikimit tonë publik!

Nuk mund të ketë një drejtësi të re nëse vazhdojmë ta trajtojmë drejtësinë me standardin e vjetër!

Pra duhet që si veprat edhe fjalët të shkojnë në të njejtin drejtim!

Sot jemi të gjithë dakord që jemi ende larg objektivit tonë! Nuk i kemi tejkaluar ende të gjitha sfidat: sfidën njerëzore, sfidën e profesionalizmit, sfidën e pavarësisë, sfidën e transparencës, sfidën e cilësisë së shërbimeve, sfidën e ndarjes me të kaluarën dhe mbi të gjitha sfidën e pritshmërive ndaj vetes dhe ndaj qytetarëve!

Megjithatë sot është koha ta mbrojmë drejtësinë!

Kjo nuk do të thotë të mbyllim sytë, gojën dhe veshët ndaj kritikave dhe debatit konstruktiv e mendjehapur! Ndaj një debati objektiv, ndihmues dhe të shëndetshëm!

Është koha për respekt ndaj drejtësisë! Që kur ajo të flasë të gjithë të heshtin!

Sepse kjo është drejtësia e re e cila duhet të rritet me dëshirën e të gjithëve për një drejtësi të standardeve evropiane!

 

 

 

 

Back to top