Vendim Nr.72 datë 20.05.2019

LEJET E PAPAGUARA TE GJYQTARËVE QË JEPEN NGA KËSHILLI I LARTË GJYQËSOR

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenin 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 62, 97, 98 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’’, nenin 24 të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë, me propozim të Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale,

VENDOSI:

  1. I.Dispozita të përgjithshme
  1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë rregulla më të hollësishme lidhur me:
    1. kriteret për dhënien nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të lejeve të papaguara, për të gjithë gjyqtarët që ushtrojnë funksionin si pjesë e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Lejet e papaguara për gjyqtarët e komanduar, jepen nga vetë institucioni ku shërben gjyqtari i komanduar.
    2. procedurat që ndiqen në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për dhënien e lejeve të papaguara.
  1. II.Përkufizime
  2. Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
  1. “Leje” është autorizimi me shkrim që jep Këshilli i Lartë Gjyqësor, për gjyqtarin, që të mos paraqitet në punë për një periudhë të caktuar kohore;
  2. “Leje e papaguar” është leja për të cilën gjyqtari nuk paguhet gjatë kohëzgjatjes së saj;
  3. “Këshilli” është Këshilli i Lartë Gjyqësor;
  4. “Komisioni përkatës”, është Komisioni i Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale;
  5. “Kryetari i Gjykatës” është Kryetari i Gjykatës ku gjyqtari ushtron funksionin.
  1. III.Parime kryesore  
  2. 3.Gjyqtarët në paraqitjen e kërkesave për leje dhe Këshilli në procedurën e shqyrtimit të tyre, udhëhiqen dhe synojnë zbatimin e përshtatshëm dhe të balancuar të parimeve të mëposhtme;
    1. parimi i nxitjes së profesionalizmit dhe zhvillimit të karrierës, sipas të cilit, gjyqtari nxitet t’i japë rëndësi vlerave profesionale dhe cilësisë në punë, në funksion të zhvillimit të karrierës profesionale;
    2. parimi i efikasitetit, sipas të cilit gjykatat duhet të jenë funksionale për përmbushjen e misionit të dhënies së drejtësisë;
    3. mbrojtja e të drejtës për jetë private dhe familjare, duke ruajtur konfidencialitetin, sipas rastit.

 

  1. IV.Llojet e lejeve të papaguara

 

4. Lejet e papaguara që u jepen gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor janë:

  1. Leja prindërore;
  2. Leja për qëllime kualifikimi dhe specializime në një institucion trajnimi, jashtë periudhës së formimit vazhdues;
  3. Leja për arsye familjare dhe/ose shëndetësore.
  1. V.Kriteret dhe procedurat e dhënies së lejes prindërore
  2. 5. Leja prindërore i jepet nga Këshilli, gjyqtarit që ka ushtruar funksionin më shumë se një vit të pandërprerë, si më poshtë;
  1. Për një periudhë jo më pak se 4 muaj dhe jo më shumë se dy vjet në total për çdo fëmijë, derisa fëmija që ka në ngarkim, të arrijë moshën 6 vjeç. Përjashtimisht për raste të rënda dhe të motivuara, ky afat mund të zgjatet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
  2. E drejta për të kërkuar lejen prindërore është individuale për secilin prind dhe nuk është e transferueshme, me përjashtim të rasteve kur njëri prind vdes. Leja mund të jepet e ndarë, por jo më pak se një javë në vit;
  3. Në rastin e birësimit të fëmijës, leja prindërore jepet brenda 6 vjetëve, që nga dita e birësimit të fëmijës, por jo më vonë se kur fëmija mbush moshën 12 vjeç;

ç.   Gjyqtari që kërkon këtë leje, e paraqet kërkesën me shkrim në Këshill, të paktën 30 ditë para kohës kur kërkon të fillojë kjo leje si dhe përcakton kohëzgjatjen e saj. Bashkë me kërkesën, gjyqtari paraqet dokumentacionin justifikues dhe mendimin me shkrim nga kryetari i gjykatës;

  1. Kërkesa e gjyqtarit trajtohet nga Komisioni përkatës, i cili brenda 7 ditëve i përcjell Mbledhjes Plenare propozimin për miratimin e lejes dhe afatin e fillimit të saj. Këshilli merr vendim për këtë kërkesë brenda 15 ditëve nga paraqitja e propozimit. Në vendimin për dhënien e lejes, Këshilli shprehet edhe në lidhje me rihedhjen ose jo në short, të çështjeve që gjyqtari ka në shqyrtim.
  2. Në rast të cenimit të funksionalitetit apo përmbushjes së detyrës me efiçiencë dhe në kohë, Këshilli mund të shtyjë datën e fillimit të lejes deri në 6 muaj.
  1. VI.Kriteret dhe procedurat e dhënies së lejes për qëllime kualifikimi dhe specializimi

6. Leja për qëllime kualifikimi dhe specializimi në një institucion trajnimi, jepet nga Këshilli për një periudhë jo më shumë se dy vjet, si me poshtë:

  1. Gjyqtari që kërkon këtë leje, paraqet kërkesën me shkrim në Këshill, të paktën 30 ditë para kohës kur kërkon të fillojë kjo leje. Kërkesa duhet të përmbajë përshkrimin e arsyes për ndjekjen e këtij trajnimi, afatin e lejes dhe të dhëna për institucionin trajnues. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet dokumentacioni justifikues si dhe mendimi me shkrim nga kryetari i gjykatës në lidhje me cenimin ose jo të funksionalitetit të gjykatës;
  2. Kërkesa e gjyqtarit trajtohet nga Komisioni përkatës, i cili brenda 7 ditëve i përcjell Mbledhjes Plenare propozimin për miratimin ose refuzimin e lejes. Këshilli merr vendim për këtë kërkesë brenda 15 ditëve nga paraqitja e propozimit;
  3. Kjo leje mund të jepet e gjitha njëherësh, ose në periudha të ndryshme, sipas kërkesës së gjyqtarit, por në total jo më shumë së 2 vjet. Në vendimin për dhënien e lejes, Këshilli shprehet edhe në lidhje me rihedhjen ose jo në short, të çështjeve që gjyqtari ka në shqyrtim;

ç) Këshilli mund të refuzojë kërkesën për këtë leje, nëse kualifikimi profesional ose specializimi nuk përputhet me funksionin e gjyqtarit, ose nëse ajo bie ndesh me interesat kryesore të funksionit dhe vë në rrezik përmbushjen e funksionit me efiçiencë dhe në kohë.

  1. VII.Kriteret dhe procedurat e dhënies së lejes për arsye familjare dhe/ose shëndetësore

7. Leja për arsye familjare dhe/ose shëndetësore deri në 30 ditë, sipas nenit 96, pika 2 të Kodit të Punës, jepet nga Kryetari i Gjykatës, ndërsa për vetë Kryetarin e Gjykatës, leja jepet nga Komisioni përkatës.

8. Leja për arsye familjare dhe/ose shëndetësore për një periudhë nga 30 ditë deri në 2 vjet, jepet nga Këshilli, si më poshtë:

  1. Gjyqtari që kërkon këtë leje, paraqet kërkesën me shkrim në Këshill, të paktën 30 ditë para kohës kur kërkon të fillojë kjo leje. Në rast të nevojave urgjente kërkesa paraqitet menjëherë pa vonesë. Kërkesa duhet të përmbajë përshkrimin e arsyes dhe afatin e lejes së kërkuar. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet dokumentacioni justifikues si dhe mendimi me shkrim nga kryetari i gjykatës në lidhje me cenimin ose jo të funksionalitetit të gjykatës;
  2. Kërkesa e gjyqtarit trajtohet nga Komisioni përkatës, i cili brenda 7 ditëve i përcjell Mbledhjes Plenare propozimin për miratimin ose refuzimin e lejes. Këshilli merr vendim për këtë kërkesë brenda 15 ditëve nga paraqitja e propozimit;
  3. Kjo leje mund të jepet e gjitha njëherësh, ose në periudha të ndryshme, sipas kërkesës së gjyqtarit, por në total jo më shumë se 2 vjet. Në vendimin për dhënien e lejes, Këshilli shprehet edhe në lidhje me rihedhjen ose jo në short të çështjeve që gjyqtari ka në shqyrtim;

ç) Këshilli mund të refuzojë kërkesën për këtë leje, sipas parimit të proporcionalitetit, duke respektuar të drejtën për jetë private dhe familjare, si dhe pa vënë në rrezik përmbushjen e funksionit me efiçiencë dhe në kohë.

  1. VIII.Dispozita kalimtare dhe të fundit.

 

9. Lejet e papaguara të dhëna nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, do të vazhdojnë të zbatohen sipas kushteve të vendosura në to.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në faqen zyrtare të Këshillit.

 

 PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR