Njoftim per Media 21.11.2019

Sot më datë 21.11.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi dy vendime të rëndësishme duke plotësuar kështu kuadrin rregullator nënligjor të Vlerësimit periodik etik-profesional të gjyqtarëve. Më konkretisht, me propozim te Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale, në respektim të parimeve, të pavarësisë, meritokracisë, zhvillimit të karrierës, efikasitetit, procesit të rregullt ligjor dhe konfidencialitetit, Këshilli vendosi miratimin e rregullave plotësuese të vlerësimit të gjyqtarëve. Ai miratoi dhe një metodologji  pikëzimi me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarëve për secilin kriter dhe treguesit përkatës ligjor.
 
Miratimi i këtyre akteve mundëson krijimin e një sistemi të ri të vlerësimit të gjyqtarëve, të bazuar në kritere objektive si aftësitë profesionale, organizative dhe integritetit moral të gjyqtarëve. Me miratimin e tyre, hapet rruga për fillimin e procesit të vlerësimit periodik të të gjithë gjyqtarëve duke mundësuar në vijim dhe lëvizjet paralele apo promovimin e tyre si në shkallët më të larta ashtu dhe në gjykatat e specializuara.
 
Bazuar në rendin e ditës, Këshilli miratoi kërkesën e gjyqtares znj. Yrfet Shkreli, për përjashtim nga lista e gjyqtarëve që caktohen për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.
 
Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.