NJOFTIM PËR MEDIA- 30.07.2019

Sot më datë 30.07.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës e cila ndër të tjera miratoi dy akte të rëndësishme. Konkretisht, KLGJ shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e projektbuxhetit afatmesëm 2020-2022 për pushtetin gjyqësor”. Në projektbuxhet përcaktohen qartësisht shpenzimet dhe kërkesat buxhetore për tre vitet e ardhshme për institucionin e KLGJ-së dhe për të gjitha gjykatat e vendit. Projektbuxheti i miratuar nga Këshilli, ka mbajtur në konsideratë legjislacionin financiar në fuqi, ngarkesën e gjykatave, dhe standardet evropiane të shërbimit gjyqësor duke synuar rritjen e numrit te administratës gjyqësore me qëllim ofrimin e shërbimeve efikase ndaj qytetarëve.

Përveç konsultimit dhe dakordësimit me Ministrinë e Drejtësisë, në hartimin e projektbuxhetit është marrë në konsideratë plani Strategjik i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim duke synuar forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e plotë të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përmes një sistemi të hapur dhe të barabartë drejtësie.

Një tjetër vendimmarrje e rëndësishme e Këshillit ishte caktimi në pozicion i 10 gjyqtarëve të emëruar në mbledhjen e datës 19.07.2019. Për caktimin në pozicionet e lira të gjyqtarëve të sapo emëruar, Këshilli mbajti në konsideratë renditjen e tyre në listën e të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës dhe preferencat e shprehura nga vetë ata- dy kritere të përcaktuara nga Ligji për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Më konkretisht Këshilli caktoi:

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, znj. Afërdita Caco

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, z. Ardit Kuka

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, znj. Suela Dashi

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, z. Ervin Sulaj

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, znj. Merita Karaj

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, z. Olti Skrame

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, znj. Lorena Çabej;

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, znj. Amarilda Sulaj

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, znj. Suela Xhani.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, znj. Enkeleda Dalipi;

Caktimi në pozicion i 10 gjyqtarëve të rinj mbart një rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor, ai mundëson ri-funksionalizimin e disa gjykatave të vogla të cilat kanë probleme me organikat e tyre duke plotësuar vakancat e krijuara për shkak të shkarkimit të gjyqtarëve nga procesi i vettingut, dorëheqjeve apo daljeve në pension të gjyqtarëve. Me këtë vendimmarrje KLGJ synon të ul stokun e çështjeve në 10 gjykata, duke garantuar efikasitetin e këtyre gjykatave dhe garantuar aksesin e pandërprerë të qytetarëve në drejtësi në 10 rrethe gjyqësore.